Vllaznia ka triumfuar 1-0 ndaj Dinamos në një përballje direkte për kreun, duke marrë “hakmarrjen” për humbjen në fazën e parë. Sfida në “Loro Boriçi” u vendos nga një gol i Bekim Balajt në minutën e 13-të, i konfirmuar nga VAR-i pas një devijimi të Qefalisë.
Ndeshja u karakterizua nga ritëm i lartë, tension dhe shumë raste nga të dyja skuadrat. Dinamo e dërgoi topin në rrjetë në pjesën e parë, por goli u anulua për pozicion jashtë loje – sërish pas ndërhyrjes së VAR-it.
Tensioni kulmoi në fundin e sfidës, me stafet teknike që shpërthyen në protesta dhe trajnerët Vioresin Sinani e Glen Daja që u ndëshkuan me kartonë të kuq.
Vllaznia ruajti epërsinë deri në fund, pavarësisht dëmtimit të Kallakut në minutat shtesë dhe presionit të madh të Dinamos. Me këtë fitore, kuqeblutë ngjiten në krye të renditjes, ndërsa Dinamo mbetet pas, megjithëse mbetet pretendente për titullin.
Vllaznia – Dinamo 1-0 Balaj 13′
Ilir Daja pas humbjes: “Dominuam për 75 minuta, na mungoi vetëm finalizimi”
Pas humbjes minimale ndaj Vllaznisë në Shkodër, trajneri i Dinamos, Ilir Daja, u shfaq i qetë në analizën e tij për RTSH Sport, duke theksuar dominimin e skuadrës së tij gjatë pjesës më të madhe të ndeshjes.
“Duket që ka një rivalitet të bukur me Vllazninë, sidomos pasi vitet e fundit kemi qenë superiorë ndaj tyre. Tani është kënaqësi të luash kundër një kundërshtari të tillë”, tha Daja.
Tekniku vlerësoi lojën e skuadrës së tij, ndonëse theksoi se fati nuk ishte në anën e tyre:
“Bëmë 75 minuta lojë në fushën e Vllaznisë, ajo që na mungoi ishte vetëm finalizimi. Ata u mbrojtën me një bllok shumë të ulët dhe ne patëm shumë raste, por ky është futbolli.”
Në fund, Daja u shpreh i kënaqur me paraqitjen:
“Ua thashë edhe lojtarëve: ta mbash Vllazninë për 75 minuta në fushën e vet nuk është pak. Ishim më lart në shumë aspekte, përveç golit.”
