Vllaznia triumfon në Ballsh mes polemikave, VAR ndërhyn tri herë dhe anulohet goli i barazimit

Bylis - Vllaznia 0-1
Bylis - Vllaznia 0-1

Vllaznia ka marrë një fitore të rëndësishme në transfertë ndaj Bylisit, duke triumfuar me rezultatin minimal 0-1 në stadiumin “Adush Muçaj”. Takimi u shënua nga tensione të larta dhe vendime të diskutueshme, ku protagonizmi kryesor i takoi gjyqtarit Daniel Vrapi dhe sistemit VAR, me Adrian Beqirajn në krye, të cilët ndërhynë plot tri herë për të ndikuar në rrjedhën e ndeshjes.

Ndeshja nisi me polemika që në minutën e gjashtë, kur Jago i Vllaznisë dërgoi topin në rrjetë. Megjithatë, goli u anulua pas ndërhyrjes së VAR-it për pozicion jashtë loje të Balajt.

Pjesa e dytë solli kulmin e emocioneve dhe tensionit. Fillimisht, Bylisit iu akordua një penallti pas një kontakti në zonë mes Gurishtës dhe një sulmuesi vendas, por VAR thirri gjyqtarin Vrapi për rishikim dhe ky i fundit e anuloi vendimin.

Epërsia për Vllazninë erdhi në minutën e 83-të, kur Peralta i Bylisit devijoi topin në portën e tij, duke i dhënë kuqebluve avantazhin me një autogol.

Në sekondat e fundit të ndeshjes, Mustafa barazoi për Bylisin, por festës së vendasve i vuri kufi sërish teknologjia. VAR ndërhyri për herë të tretë dhe goli u anulua për një faull paraprak, duke shkaktuar reagime dhe përplasje në fushë dhe jashtë saj.

Me këtë fitore, skuadra e Edi Martinit merr tre pikë të çmuara në një transfertë të vështirë, duke i dhënë fund mungesës së gjatë të fitoreve jashtë Shkodrës.


Bylis 0-1 Vllaznia
83′ Peralta (autogol)