Granit Xhaka

Në një intervistë të fundit, kapiteni i Zvicrës, Granit Xhaka, u shpreh hapur për çështjen e lojtarëve shqiptarë të lindur dhe rritur në Zvicër, të cilët kanë vendosur të përfaqësojnë Kosovën në arenën ndërkombëtare.

Duke folur për Leon Avdullahun dhe Albian Hajdarin, dy ish-lojtarë të ekipeve zinxhir të Zvicrës që tani luajnë për Kosovën, Xhaka theksoi:
“Lojtarët me cilësinë e tyre, sigurisht që nuk dëshirojnë të dorëzohen. Por për ta, është çështje e vlerësimit të statusit të tyre. A do të arrinin të siguronin një vend të rregullt në përfaqësuesen zvicerane për tre ose katër vite? Këtë e vë në pikëpyetje, sidomos kur sheh kush nuk luan me ne për momentin – dhe janë më përpara në karrierë.”

Ai përmendi shembullin e Ardon Jasharit, që është pjesë e Zvicrës prej tre vitesh por ka vetëm katër paraqitje, dhe shtoi:
“A është Leon më përpara se Ardon? Nuk besoj. Por është djalë i mirë, përndryshe nuk do të luante çdo ndeshje për Hoffenheim. Ndoshta i ka munguar pak durimi në kontekstin e Zvicrës. Por në fund të fundit, është vendimi i tyre për Kosovën, e cila tani po luan në një nivel shumë të mirë.”

Xhaka, si figurë kyçe e kombëtares zvicerane, nënvizon rëndësinë e durimit dhe punës për të arritur te një vend në “Nati”, ndërsa respekton zgjedhjet personale të lojtarëve që përfaqësojnë Kosovën.