
Pas kalimit të Leon Avdullahut te Kosova, vëmendja në Zvicër po përqendrohet gjithnjë e më shumë tek futbollistët me prejardhje të ndryshme.
Drejtori i përfaqësueses së Zvicrës, Pierluigi Tami, ka deklaruar se “më shumë se 70% e lojtarëve tanë janë me shtetësi të dyfishtë”.
Gazeta Blick ka analizuar lojtarët e rinj që janë pjesë e përfaqësueses së Zvicrës dhe mund të kalojnë te kombëtaret e tjera. Shtetasit e dyfishtë kanë një traditë të gjatë në ekipin helvetik. Pas vitit 2000, numri i lojtarëve me rrënjë nga Ballkani u rrit ndjeshëm, me futbollistë si Valon Behrami, Blerim Xhemaili, Haris Seferoviç, Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka që formësuan skuadrën për shumë vite.
Në skuadrën prej 23 lojtarësh që do të përballet me Kosovën në ndeshjen e parë të kualifikimeve për Kupën e Botës, më shumë se gjysma janë me shtetësi të dyfishtë, dhe shumë prej tyre kanë rrënjë afrikane.
Edhe te përfaqësuesja U21 e Zvicrës ka shumë lojtarë me prejardhje nga vende të tjera. Një nga më të njohurit është Zachary Athekame, me rrënjë afrikane, që u transferua nga Young Boys te Milani për 10 milionë euro. Ndër lojtarët e rinj shqiptarë që spikasin janë Zidan Tairi dhe Agon Rexhaj.
Blick shkruan për Tairin: “Rrënjët e tij shtrihen në Maqedoninë e Veriut, por mund të luajë edhe për Kosovën apo Shqipërinë. Është një lojtar shumë kreativ, teknikisht i fortë dhe inteligjent, me cilësi lidershipi. Së shpejti mund të bëjë kalimin te ekipi i parë i Hoffenheimit.” 18-vjeçari luan aktualisht për U19 të Zvicrës dhe për të rinjtë e Hoffenheimit, ku janë edhe Leon Avdullahu, Fisnik Asllani e Albian Hajdari, me dy të parët që kanë vendosur të përfaqësojnë Kosovën, ndërsa i treti pritet.
Agon Rexhaj është sulmues 18-vjeçar i Baselit dhe luan për U19 të Zvicrës. “Pas interesimit nga klubet kryesore evropiane një vit më parë, Rexhaj nënshkroi një kontratë të re trevjeçare me Baselin. Për shkak të prejardhjes shqiptare, ai është i kualifikuar të luajë për disa kombëtare. Ai është dalluar për numrin e madh të golave të shënuar në përzgjedhjet e federatës zvicerane”, shkruan Blick.
Në Zvicrën A aktualisht është vetëm kapiteni Granit Xhaka. Ardon Jashari nuk u grumbullua për shkak të një lëndimi, por disa futbollistë shqiptarë vlerësohet se janë afër përfaqësueses helvetike.