
Dinamo Zagreb ka realizuar një nga lëvizjet më të bujshme të këtij afati kalimtar, duke huazuar mesfushorin algjerian të Milanit, Ismael Bennacer. Marrëveshja u finalizua në momentet e fundit të merkatos dhe përfshin opsionin për blerjen e kartonit pas përfundimit të huazimit njëvjeçar.
27-vjeçari, i cili ka qenë një nga shtyllat e mesfushës së Milanit që nga viti 2019, pritet të mbërrijë në Zagreb pas kryerjes së testeve mjekësore. Ai është ndër lojtarët më të paguar te kuqezinjtë me një pagë bruto prej 7 milionë eurosh në vit, ndërsa vlera e tij sipas Transfermarkt arrin në rreth 15 milionë euro. Kontrata me Milanin i skadon në vitin 2027.
Ky përforcim shihet si strategjik për Dinamon, pasi Bennacer do të rrisë konkurrencën në mesfushë dhe do të mbulojë një pozicion kyç ku klubi kishte mungesa të theksuara.
Bennacer ka një karrierë solide ndërkombëtare. Ai ka nisur te Arles në Francë, ka kaluar te Arsenal në moshën 18-vjeçare, dhe më pas është afirmuar në Itali fillimisht me Empolin dhe që prej vitit 2019 me Milanin. Me klubin italian ka zhvilluar 178 ndeshje dhe ka fituar titullin kampion në sezonin 2021/22.