
Mbrojtësi nga Kosova, Hajdin Salihu, është transferuar te klubi polak Polonia Varshava në formë huazimi njëvjeçar, me opsion blerjeje në fund të sezonit.
23-vjeçari vjen nga skuadra ukrainase LNZ Cherkasy, ku ka qenë pjesë e elitës së futbollit ukrainas gjatë sezonit të kaluar, transmeton “Kërlaçki”.
Në edicionin 2023/24, Salihu ka zhvilluar 34 paraqitje, duke kontribuar edhe me 4 gola, një shifër e konsiderueshme për një mbrojtës qendror.
Para aventurës në Ukrainë, ai ka qenë pjesë e disa klubeve të njohura në rajon, përfshirë Llapin dhe Dritën në Superligën e Kosovës, Laçin në Superiore dhe Lokomotivën e Zagrebit në Kroaci.
Përvoja e tij ndërkombëtare në disa kampionate e bën një përforcim të rëndësishëm për Polonia Varshavën, që kërkon të konsolidojë repartin defanziv.
Në arenën ndërkombëtare, Salihu ka përfaqësuar Kosovën në grupmoshat U16, U17 dhe U19, ndërsa më pas është paraqitur për Shqipërinë U21, duke treguar potencial dhe fleksibilitet në përfaqësim.
Transferimi i tij në Poloni shihet si një hap i rëndësishëm për karrierën e tij, në një kampionat me standarde të larta dhe konkurrencë të fortë. Klubi polak do të ketë mundësinë ta blejë kartonin e tij në fund të huazimit, nëse mbrojtësi bind me paraqitjet e tij.
Be the first to comment