Skuadra e Feronikelit ka udhëtuar drejt Bullgarisë, ku po zhvillon fazën e dytë të përgatitjeve verore në qytetin malor të Banskos. Kampi do të zgjasë dhjetë ditë dhe vjen pas përfundimit të fazës së parë që është mbajtur në Drenas.
Trajneri i skuadrës, Granit Dervisholli, është shprehur i kënaqur me ecurinë e deritanishme të përgatitjeve dhe ka theksuar se skuadra po ndërtohet me kujdes për të synuar një rikthim të fuqishëm në Superligë.
“Përgatitjet kanë filluar me kohë. Kemi përfunduar fazën e parë në Drenas dhe tash jemi në Bansko për fazën e dytë. Kemi një ekip të mirë dhe besojmë se do t’i sjellim edhe disa përforcime të tjera për ta kompletuar skuadrën”, ka deklaruar Dervisholli mes tjerash për faqen zyrtare të klubit.
Feronikeli ka qenë aktiv edhe në afatin kalimtar, duke zyrtarizuar një numër të konsiderueshëm përforcimesh. Klubi po ndërton një skuadër konkurruese me qëllim të arritjes së objektivit kryesor për sezonin 2025/26 – rikthimin në Superligë.
Kampi në Bansko pritet të shërbejë edhe për zhvillimin e disa ndeshjeve miqësore, ku stafi teknik do të ketë mundësi të testojë skemat dhe të vlerësojë formën e lojtarëve para nisjes së sezonit të ri në Ligën e Parë.
