14 tetor 2014: Serbi – Shqipëri

Plisat

Ky është këndvështrimi i krijuesit të Kërlaçkit, i afërt me dy nga personat e udhëtimit, edhe vetë kishte plane për një udhëtim, kishte dështuar, dhe tani, nga memoaret e atëhershme, do të risjellë në kujtim një udhëtim – gati tragjik, gati deri në komik, por në fund, mitik!

Një rrëfim i pautorizuar i tre tifozëve “Plisa” në udhëtimin “mitik” në Beograd!

PJESA 1

Ishin vite kur Kosova ende s’ishte pranuar ndërkombëtarisht. Edhe kosovocentrikët më të mëdhenj ndiqnin ndeshjet e Kombëtares së Shqipërisë. Të cilët ia patën arritur të zgjojnë ndjenja kombëtare me vendime “dinake” të Armand Dukës në ndjenjën e patriotizmit. Në mungesë të prodhimit të lojtarëve vendorë, Duka kishte gjetur lojtarë nga anekënd trojeve shqiptare – pothuajse mungonte vetëm një nga Ulqini. S’kishte rëndësi ku kishte lindur. Projekti ishte bërë gati. Kombëtarja donte kualifikimin e parë historik.

Por, duhej të kalonte së pari nëpërmjet Serbisë!

Kur ishte hedhur shorti, kishte pasur entuziazëm të paparë të tifozerisë shqiptare për një udhëtim mitik dhe masiv në qendrën e nacional-shovinizmit serb – Beograd.

Ndërsa, sa po afronte koha e ndeshjes, zërat për një udhëtim ishin pakuar. Ishin pakuar aq shumë sa… kishte përfunduar në dy persona. Në dy tifozë. Në dy Plisa. I treti ishte bashkëngjitur gati rastësisht në momentin e fundit.

Në këtë rrëfim nuk bën pjesë Ballisti. As ndonjë udhëtim “qeveritar” i Artan Grubit nga Shkupi.

Bëhet fjalë për një udhëtim të një shkupjani dhe dy prishtinasve – të tre tifozë të Prishtinës. Plisa.

Në atë udhëtim, si nëpër filma, iu ishin bashkëngjitur edhe dy preshevarë. Njëri prej tyre, shofer taksie.

Rrëfimi është autentik, por i pautorizuar. Sepse kishte edhe rrëfim zyrtar. Por, jo edhe me të gjitha peripetitë, mospajtimet, nervozën, “budallakitë” e një grupi të tillë të panatyrshëm. Dy tifozë – njëri kogja në moshë, tjetri entuziast i madh i tifozerisë. I treti, gati krejt rastësor. Dy preshevarët – lidhje me tifozeri: njëri hallexhi pune (taksisti), tjetri entuziast i çastit.

Vazhdon në pjesën e dytë…