
Mbrëmë, Sheriff Tiraspol mposhti Prishtinën me rezultatin 4-0 në ndeshjen e raundit të parë kualifikues të Ligës së Evropës.
Ky klub moldav është kampioni i shumëfishtë i vendit, me mbi 20 tituj kampioni dhe 13 kupa kombëtare, duke qenë një nga skuadrat më të forta dhe më të organizuara në rajon, raporton “Kërlaçki”.
Sheriff shquhet për infrastrukturën e tij të jashtëzakonshme: Kompleksi sportiv “Sheriff” ndodhet në hyrje të Tiraspolit nga Bendery dhe shtrihet në një sipërfaqe prej 50 hektarësh.
Ai përfshin dy stadiume, tetë fusha stërvitore me përmasa të plota, një akademi futbolli për fëmijë, një pishinë me kulla kërcimi, fusha tenisi, një fushë basketbolli, një palestër dhe një qendër fitnesi.
Këtu mbahen rregullisht ndeshje të kampionatit vendas dhe garave evropiane, si dhe turne ndërkombëtarë për të rinj.
Gjithçka është ndërtuar dhe menaxhuar nga kompania Sheriff, një nga aktorët ekonomikë më të fuqishëm në Transnistri.
Për Prishtinën, përballja me një klub me një strukturë kaq të zhvilluar është një test i rëndësishëm dhe një mundësi për të treguar se me punë, organizim dhe përkushtim, edhe ekipet nga rajoni ynë mund të konkurrojnë me emrat më të mëdhenj të futbollit evropian.
Ndeshja e kthimit mes Prishtinës dhe Sheriff Tiraspol zhvillohet mesjavën e ardhshme në “Fadil Vokrri”.