
Klubi rus Akhmat Grozny ka bërë të ditur zyrtarisht largimin e mesfushorit kosovar Bernard Berisha, pas një qëndrimi prej tetë vjetësh e gjysmë në radhët e klubit.
Palët kanë rënë dakord për ndërprerjen e kontratës me pëlqim të ndërsjellë, njofton “Kërlaçki”.
Gjatë qëndrimit të tij në Grozny, Berisha ka zhvilluar 199 ndeshje zyrtare, duke shënuar 28 gola dhe dhënë 23 asistime.
Kontributi i tij në fushë dhe jashtë saj ka qenë vendimtar, duke u kthyer në një figurë qendrore për klubin dhe në një nga lojtarët më të dashur për tifozët.
Në njoftimin e klubit thuhet:
“Bernard Berisha u bë një legjendë e Akhmatit. Ai do të mbahet mend si një profesionist i vërtetë, lider në fushë dhe shembull i sjelljes dhe përgjegjësisë jashtë saj. Gjatë këtyre viteve, ai u kthye në një idhull për tifozët tanë. Faleminderit për gjithçka – për lojën, për vëllazërinë dhe për miqësinë e sinqertë me çdo anëtar të ekipit. Të urojmë fat në kapitullin e radhës, vëlla”.