Drita „ndez dritat“ e Evropës – këto janë gjasat me përqindje për të prekur grupet në garat evropiane

Ndeshjet e kthimit të turit të parë të garave evropiane të UEFA-s zhvillohen këtë mesjavë, me shumë skuadra shqiptare ende në garë. Shumica prej tyre ndodhen në pozita të favorshme për të kaluar në raundin e dytë në kompeticionet përkatëse, hiq Prishtinën që u turpërua nga Sheriff Tiraspoli.
Megjithatë, vëmendje të veçantë po tërheq ekipi kampion i Kosovës, Drita, për të cilin parashikimet janë jashtëzakonisht premtuese.
Ekspertët e statistikave nga platforma “Football Meets Data” kanë publikuar projeksionet e tyre pas ndeshjeve të para, duke simuluar mundësitë e çdo skuadre për të arritur në fazën e grupeve të turneve evropiane.

Sipas simulimeve kompjuterike, Drita ka 56% gjasa për të arritur fazën e grupeve të Ligës së Konferencës, përqindja e 12-të më e lartë në listën e përgjithshme të përllogaritjeve. Kjo e bën Dritën skuadrën shqiptare me shanset më të mëdha për të përfunduar në një fazë grupi evropiane këtë sezon.
Aktualisht, Drita është duke garuar në raundin e parë të Ligës së Kampionëve dhe ka fituar me rezultat 1-0 ndaj Differdange në ndeshjen e parë në udhëtim.

Edhe pse me gjasa të mira për të kaluar tutje në këtë garë, simulimet statistikore parashikojnë që skuadra nga Gjilani mund të zbresë në Ligën e Konferencës, si rrjedhojë e sistemit të “rënieve” nga fazat eliminatore të UEFA-s.
Në rast kualifikimi për në grupe të Ligës së Konferencës, Drita mund të përballet me klube të mëdha europiane si: Crystal Palace, Fiorentina, Rayo Vallecano, Mainz, Panathinaikos, Beşiktaş apo AEK Athinë – të gjitha këto skuadra që gjithashtu parashikohen të arrijnë deri në këtë fazë.

Në një sezon të rëndësishëm për futbollin kosovar në Evropë, Drita mbetet shpresa më e madhe për një përfaqësim të denjë në një fazë të avancuar të garave evropiane.


