
Vëllaznimi ka kompletuar edhe një transferim për sezonin e ri, duke sjellë në Gjakovë djaloshin e talentuar të rritur pikërisht në këtë qytet – Rron Dahsyla.
Pas një periudhe të vlefshme zhvillimi me Pejën dhe së fundmi me Proton Cable Prizrenin, 20-vjeçari rikthehet te skuadra e zemrës për të dhënë kontributin e tij, përcjellë “Kërlaçki”.
Rroni ka qenë pjesë e rregullt e gjeneratave të reja të Përfaqësueses së Kosovës, duke shkëlqyer së fundmi me U20 në Kampionatin Evropian (Divizioni B), ku regjistroi mesatare mbresëlënëse prej 11.3 pikë, 4.7 kërcime dhe 2.7 asistime për ndeshje.
Ky transferim vjen pas dy përforcimeve të tjera të mëdha që tashmë i janë bashkuar klubit:
Jacob Young – fundori amerikan me karrierë në kolegjet elitare Oregon Ducks, Texas Longhorns, Rutgers Scarlet Knights, si dhe me përvojë në NBA G-League te Memphis Hustle, Texas Legends, Maine Celtics e Windy City Bulls. Një dirigjent i shpejtë, eksploziv dhe me mentalitet fitues, që pritet të sjellë ritëm dhe spektakël në Gjakovë.
Seth Pinkney – qendra amerikane 2.16 m e gjatë, me përvojë në Apollon Limassol (Qipro) dhe Frayles (Meksikë), si dhe në NCAA me Quinnipiac Bobcats & Florida Gulf Coast. Një lojtar i fuqishëm nën kosh, i njohur për kërcime, mbrojtje dhe prani dominuese në zonën e pikturuar.