
Pas mesnate, kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, ka reaguar publikisht pas paraqitjes zhgënjyese të Kombëtares në ndeshjen e fundit. Ademi ka mbrojtur ekipin duke i dhënë përkrahje, por komente të shumta nga tifozët nuk kanë qenë aspak të buta në drejtim të tij.
Reagimi i tij në rrjetet sociale u prit me valë kritikash dhe ironie, ndërsa komentuesit shprehën zhgënjimin e thellë për rezultatet dhe drejtimin e FFK-së. Disa prej komenteve më të pëlqyera ishin nga më thumbuesit.
Njëri prej tyre shkruante me ironi:
“Oo lumbafshum na për ty që na knaqe.”
Një tjetër koment, ndër më të pëlqyerit nga ndjekësit, kritikonte drejtpërdrejt Ademin:
“Ti je fajtor për të gjitha. Turp duhet me pas, por ti A. Ademi s’kie fytyrë aspak. Je turpi i turpit në FFK.”
Komentuesi A. Bllaca shtoi:
“Kap jep dorëheqje. Fajtori numër një i Kosovës.”
Ndërsa Gjergj Sh. thumbonte:
“Zoti na rujt, n’dorë t’kuj jena met na për futboll.”
Bashkatdhetari Idriz S. ishte i prerë në mesazhin e tij:
“A hala po keni ftyrë a? Jepni dorëheqjen nga posti i FFK-së. Ka njerëz shumë ma të mirë për këtë punë.”
Kritikat nuk u ndalën as përpara deklaratave të Ademit para ndeshjes. Fatlum B. shkruante:
“Deklarata juaj para ndeshjes se Kosova ka për qëllim kualifikimin në Evropian ishte një presion i panevojshëm ndaj lojtarëve dhe stafit.”
Ndërkohë, Fisnik T. përdori një shprehje të njohur për të ironizuar gjendjen aktuale:
“E keni bo ‘skllotë’.”
Ermal K. kritikoi mbrojtjen e skuadrës dhe shprehu pesimizëm për të ardhmen në kualifikime:
“Ekip e mbrojtje më të dobët moti s’ka pas Kosova. Çdo lojë kemi me pësu debakël. Suksesi ynë ka me qenë veç me shënu ndonjë gol, se për fitore as që flitet.”
Pavarësisht kritikave, pjesa më e madhe e komenteve ishin të moderuara, megjithëse nuk morën pëlqime të shumta. Postimi i Ademit, megjithatë, u pëlqye nga mbi 350 përdorues, duke treguar se reagimi i tij ka ngjallur interes të gjerë.