
Kombëtarja e Suedisë, e drejtuar nga ish-futbollisti i Milanit, trajneri danez Jon Dahl Tomasson, nuk ka zhvilluar seancë stërvitore në Prishtinë. Ekipi ka mbajtur stërvitjet në Slloveni dhe ka udhëtuar sot drejt kryeqytetit të Kosovës.
Përveç trajnerit Tomasson, në konferencën për shtyp ishte i pranishëm edhe qendërmbrojtësi i Atalantas, Isak Hien.
Interesimi i mediave suedeze ishte i madh, me mbi 20 përfaqësues të shtypit – gazetarë, fotografë dhe kameramanë – të cilët dukeshin disi si të tensionuar, sidomos pas barazimit të fundit me Slloveninë. Tomasson e justifikoi rezultatin duke theksuar vështirësinë për të luajtur kundër një skuadre që mbrohej gjatë gjithë ndeshjes.
Ndërsa mbrojtësi Hien u pyet edhe për mungesën e mbrojtësit kosovar, kapitenit Amir Rrahmani, me të cilin njihen nga Serie A. Ai e vlerësoi lart Rrahmanin, duke e cilësuar si një futbollist me cilësi të jashtëzakonshme.
Pika kulmore e konferencës ishte pyetja nëse Alexander Isak do të luajë në ndeshjen e nesërme. U diskutua gjithashtu për komunikimin me stafin e Liverpoolit në lidhje me gjendjen e sulmuesit, dhe Tomasson konfirmoi se ka pasur kontakte, por shtoi prerazi: “Sa kohë që lojtari është në grumbullim me Kombëtaren, vendimet i marrim ne.” Kjo deklaratë la të kuptohej se sulmuesi i ri i Premier Ligës mund të jetë në fushë, përkrah yllit të ri të Arsenalit, Viktor Gyökeres, i transferuar së fundmi nga Sporting Lisbona.