Franco Foda: Karakteri ishte çelësi i fitores! Vedat Muriqi: Ky shpirt luftarak ka qenë gjithmonë me ne

Foda - Muriqi
Foda - Muriqi

Kosova triumfon ndaj Suedisë: Foda dhe Muriqi flasin pas fitores

Pas fitores mbresëlënëse 2-0 ndaj Suedisë në stadiumin “Fadil Vokrri”, trajneri i Kosovës, Franco Foda, dhe kapiteni i dytë i ekipit, Vedat Muriqi, folën për mediat duke vlerësuar paraqitjen dhe reagimin e skuadrës.

Franco Foda: Karakteri ishte çelësi i fitores!

Trajneri i Kosovës, Franco Foda, u shpreh se ndryshimet në formacion dhe presioni në mesfushë ishin vendimtare për suksesin.

“Bëmë disa ndryshime në ekip, veçanërisht në mesfushë ku ushtruam presion, pasi e dinim forcën e Suedisë në atë zonë. Ajo që bëri diferencën ishte karakteri i lojtarëve. Ne të gjithë folëm, punuam së bashku dhe reaguam pas humbjes, për të marrë tri pikë të reja. Sot, e gjithë Kosova mund të ndihet krenare për këtë ekip”, deklaroi Foda.

Vedat Muriqi: Ky shpirt luftarak ka qenë gjithmonë me ne

Sulmuesi Vedat Muriqi theksoi rëndësinë e reagimit pas humbjes 4-0 në Zvicër dhe vlerësoi qëndrueshmërinë emocionale të ekipit.

“Besoj fuqishëm se shpirtin luftarak e kemi pasur gjithmonë. Kemi reflektuar, kemi kritikuar edhe veten për mungesën e motivimit apo përqendrimit. Sot dhamë përgjigjen në fushë – treguam karakter dhe nuk e humbëm shpirtin luftarak. Jam shumë i lumtur për reagimin që patëm pas një disfate të rëndë,” u shpreh ai.

Muriqi kujtoi edhe ndeshje të tjera historike për Kosovën, por theksoi se kjo fitore ka një rëndësi të veçantë.

“Kemi pasur edhe më parë fitore të rëndësishme, si ndaj Çekisë, por sot ishte ndryshe. Suedia është një ekip me lojtarë të nivelit të lartë dhe reagimi pas humbjes në Zvicër ishte i jashtëzakonshëm. Shpresoj që kjo të mos jetë fitorja e fundit në ‘Fadil Vokrri”, tha ai.

Muriqi foli edhe për përgjegjësinë që ndjen si zëvendëskapiten, veçanërisht në një skuadër me shumë lojtarë të rinj.

“Këto dy-tre vitet e fundit e ndiej më shumë përgjegjësinë, pasi kemi shumë lojtarë të rinj. Gallapeni ishte fantastik, Fidani pati një paraqitje shumë të mirë, edhe pse nuk ka pasur shumë hapësira më parë. Edhe Iliri po ashtu. Jam krenar që jam zëvendëskapiten i shtetit tim dhe mundohem të jap shembull për të tjerët.”

Sa i përket sfidës së ardhshme, Muriqi bëri thirrje për qetësi dhe përqendrim.

“Dëshiroj që të qëndrojmë me këmbë në tokë. Sllovenia nuk do të luajë si Suedia, do të mbrohen më shumë dhe do të duhet të gjejmë mënyrën për t’i hapur. Do të jetë një ndeshje krejtësisht ndryshe”, përfundoi ai.