
Austria ka mposhtur Bosnjë dhe Hercegovinën me rezultatin 2:1 mbrëmë në Zenicë, në ndeshjen kualifikuese për Kampionatin Botëror. Edin Xheko realizoi për vendasit, ndërsa për Austrinë shënuan Marcel Sabitzer dhe Konrad Laimer. Kjo ishte humbja e parë për Bosnjën në këto kualifikuese, pas katër fitoreve radhazi.
Megjithatë, përveç golave dhe rezultatit, ndeshja u shënua edhe nga një episod i rrallë, ndoshta i paprecedentë në fushat e futbollit.
Në pushimin mes pjesëve, trajneri i Austrisë, Ralf Rangnick, u largua nga pankina për në dhomat e zhveshjes duke përdorur… një biçikletë elektrike. Ngjarja ndodhi shumë shpejt dhe u kap vetëm për pak sekonda në transmetim, por pamjet tashmë janë bërë virale.
Pas ndeshjes, Rangnick dha një shpjegim të thjeshtë për këtë vendim të pazakontë:
“E dinim që rrugët këtu janë të gjata dhe unë ende nuk mund të ec shumë gjatë. Nuk ishte e mundur të organizonim një makinë golfi për shkak të gjerësisë së kalimeve, ndaj zgjodhëm biçikletën elektrike si zgjidhjen më praktike.”