Shifra surprizuese: Kush po fiton më shumë nga sponsorët këtë vit, Alcaraz apo Sinner?

sinner alcaraz
Sinner Alcaraz

Sipas një analize të “La Gazzetta dello Sport” në bashkëpunim me platformën “Chain On”, Janik Sinner pritet të përfitojë 34 milionë euro nga sponsorizimet në vitin 2025, dy milionë më shumë se rivali i tij kryesor dhe numri një aktual i botës, Carlos Alcaraz.

Sinner humbi vendin e parë në renditjen botërore pas 65 javësh, pasi Alcaraz fitoi US Open dhe mori “hak” për humbjen në Uimbëlldon.

Por në të ardhurat nga sponsorët, italiani mbetet përpara. Kjo epërsi i atribuohet edhe marrëveshjes së tij të re me “Explora Journeys”, një markë luksoze udhëtimesh detare, që pritet t’i sjellë mes 3 dhe 5 milionë euro shtesë.

Me këtë kontratë, Sinner ka gjithsej 14 partneritete sponsorizimi, krahasuar me 10 të Alcaraz.

Edhe pse Alcaraz ka një kontratë më të madhe me “Nike” (18 milionë euro kundrejt 16 milionëve të Sinner), përfitimet totale të italianit janë më të larta falë bashkëpunimeve shtesë jashtë fushës sportive.

Në rrjete sociale, Alcaraz mbetet dominues me 7.8 milionë ndjekës në “Instagram”, krahasuar me 4.8 milionë të Sinner.

Megjithatë, Sinner po zgjerohet në platforma të tjera si “YouTube”, ku kanali i tij dokumenton përgatitjet dhe jetën jashtë fushës, duke arritur mbi 2.2 milionë shikime me vetëm katër video.