
Ka ndërruar jetë Erduan Nallbani, personaliteti që gjithë jetën ishte pjesë e hendbollit kosovar. Nallbani ka nisur karrierën e hendbollistit te KH Trepça, në vitin 1984, njofton “FHK”.
Për klubin mitrovicas ka luajtur deri në vitin 2002. Kontributi i tij si lojtar ishte i madh për Trepçën, por edhe për hendbollin kosovar në përgjithësi.
Ka shërbyer në kohën më të vështirë, atë të pavarësimit të sportit kosovar, ndërsa është shquar në fushën e lojës. Me Trepçën kishte suksese të shumta.
Pasi i dha fund karrierës si hendbollist, i ndjeri Nallbani nisi karrierën si gjyqtar i hendbollit. Gjyqtar ishte deri në ditët e fundit të jetës.
Erduan Nallbani është dalluar me afërsinë që kishte për gjithë komunitetin e hendbollit dhe për kryerjen e punës së gjyqtarit me nder e përgjegjësi maksimale.
Presidenti i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Edin Kolgeci, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së nderuar Nallbani, KH Trepçës, komunitetit të gjyqtarëve dhe gjithë atyre që e njohën dhe bashkëpunuan me të ndjerin Erduan Nallbani.
Varrimi i të ndjerit bëhet sot pas orës 16:00 në varrezat e qytetit të Prishtinës, në Dragodan.