Kampionati Botëror i Volejbollit
Kampionati Botëror i Volejbollit për Meshkuj FIVB 2025 ka hyrë në fazën më vendimtare – atë me eliminim direkt. Përtej emocioneve të ndeshjeve, turneu i sivjetshëm sjell edhe disa statistika dhe fakte historike që e bëjnë atë unik.
32 skuadra – një rekord i ri
Për herë të parë në histori, në Botëror marrin pjesë 32 ekipe, duke zëvendësuar formatin tradicional me 24. Ky ndryshim është menduar për të zgjeruar pjesëmarrjen, duke i dhënë më shumë hapësirë kombeve në zhvillim që të matin forcat me superfuqitë e volejbollit.
Filipinet, të dytat në Azi
Vendi organizator, Filipinet, bëhet i dyti në kontinentin aziatik që pret këtë aktivitet madhor, pas Japonisë. Japonia ka pritur turneun dy herë brenda vetëm tetë vitesh – në 1998 dhe 2006.
13 vende organizatore
Deri më sot, gjithsej 13 shtete kanë pritur Kampionatin Botëror. Në dy edicionet e fundit, 2018 (Itali, Bullgari) dhe 2022 (Poloni, Slloveni), organizimi u nda mes dy vendeve, duke reflektuar një prirje të re drejt bashkëpunimit ndërkombëtar për ngjarje të mëdha sportive.
Pesë kampionë të shumëfishtë
Historia ka njohur vetëm pesë kombe që kanë arritur të fitojnë më shumë se një herë medaljen e artë. Më i suksesshmi mbetet ish-Bashkimi Sovjetik me 6 tituj, i cili dominoi vitet e para të turneut, me titullin e fundit të fituar në vitin 1982. E ndjek Italia me 4 tituj, Brazili dhe Polonia me 3 tituj, ish-Çekosllovakia 2 tituj, SHBA dhe ish-Gjermania Lindore nga 1 titull.
Një rrugëtim që nis në 1949
Edicioni i parë i Kampionatit Botëror u zhvillua në vitin 1949, në Çekosllovakinë e atëhershme. Bashkimi Sovjetik shkroi historinë si fituesi i parë i një kompeticioni që tashmë ka më shumë se shtatë dekada jetë.
Bullgaria, rekord i pathyer
Bullgaria është një nga historitë e veçanta të Botërorit. Pavarësisht se nuk ka fituar titull, ajo është skuadra me më shumë pjesëmarrje të pandërprera – plot 20 edicione radhazi që nga viti 1962.
Kur mikpritësit fitojnë
Historia ka treguar se avantazhi i fushës ka ndikuar ndonjëherë. Katër herë skuadrat organizatore kanë arritur të shpallen kampione: Bashkimi Sovjetik (1952, 1962), Çekosllovakia (1966) dhe Polonia (2014).
Polonia, fuqia e re e volejbollit
Kombëtarja polake, e renditur e para në botë, është aktualisht një prej forcave më të mëdha në këtë sport. Ajo ka zënë podiumin shtatë herë dhe që nga fitorja e titullit në vitin 2014, nuk ka humbur asnjë Botëror pa shkëlqyer.