Istogu përballet me Madeiran në raundin e tretë të Kupës Evropiane

KHF Istogu
KHF Istogu

Kampionia e Kosovës në hendboll për femra, Istogu, ka mësuar kundërshtarin e saj për raundin e tretë të Kupës Evropiane (EHF European Cup). Skuadra jonë do të sfidohet nga ekipi i njohur portugez, Madeira Andebol SAD.

Shorti u hodh të martën, ndërsa përballja e parë do të zhvillohet në Portugali më 8 ose 9 nëntor, kurse ndeshja e kthimit do të luhet në Kosovë, më 15 ose 16 nëntor.

Madeira Andebol SAD
Madeira Andebol SAD

Madeira është një emër i njohur në skenën evropiane dhe këtë edicion e nis pikërisht nga raundi i tretë, duke qenë një kundërshtar me përvojë në këtë kompeticion. Megjithatë, Istogu është treguar i vendosur dhe ambicioz në rrugëtimin e tij ndërkombëtar.

Në raundin e dytë, Istogu eliminoi skuadrën greke AEP Panorama, duke fituar të dy ndeshjet që u zhvilluan në Banjë gjatë fundjavës së kaluar. Ky është suksesi i pestë i klubit ndaj kundërshtarëve evropianë, një tregues i rritjes dhe stabilitetit të skuadrës në garat ndërkombëtare.

Ndërkohë, tri skuadrat e tjera nga Kosova që morën pjesë në Kupën Evropiane – Samadrexha, Ferizaj dhe Shqiponja – janë eliminuar në raundet e mëparshme.

Pavarësisht vështirësisë që sjell kundërshtari i radhës, kampionet e Kosovës synojnë të shkruajnë një tjetër kapitull suksesi në arenën evropiane.