Asgjë s’ka më të ëmbël se sa fitorja e Kombëtares… në Serbi. Kjo fitore i bashkon shqiptarët anekënd globit!

Kombëtarja
Kombëtarja

Në ndeshjen e 400-të jubilarë të Kombëtares, u arrit një fitore historike me vlerë kombëtare dhe sportive.

Jo vetëm kaq – kjo fitore i mundëson djemve kuqezi të ëndërrojnë realisht për vendin e dytë dhe një biletë për fazën e “play-off”-it. Aktualisht, jemi vetëm katër pikë larg Anglisë.

Kombëtarja udhëton më 13 nëntor në Andorrë, në një ndeshje që duhet fituar patjetër, përpara përballjes së fundit dhe vendimtare ndaj Anglisë, më 16 nëntor, në kuadër të Grupit K.

Rey Manaj: “Një nga ditët më të lumtura të jetës sime – pas 11 vitesh, i mposhtëm në shtëpinë e tyre!”

Heroi i fitores ndaj Serbisë, Rey Manaj, ka shprehur emocionet e tij pas ndeshjes, duke e quajtur këtë moment një nga më të veçantët e karrierës.

“Është një nga ditët më të lumtura të jetës sime. Disa komente pas penalltisë së humbur nuk i meritoja, por më e rëndësishme është që e gjithë Shqipëria dhe Kosova janë të lumtura,” – deklaroi Manaj.

Sulmuesi shtoi se ekipi duhet të ruajë përqendrimin dhe qetësinë për ndeshjet e mbetura:
“Të qëndrojmë me këmbë në tokë, sepse kemi edhe dy ndeshje për të luajtur.”

Në fund, ai i dha edhe një mesazh të gjithë tifozëve shqiptarë:
“Shijojeni këtë moment, sepse pas 11 vitesh i rrafëm këtu, në shtëpinë e tyre!”

Berat Gjimshiti: “Ndeshje speciale për mua – afër Tërnocit të gjyshërve të mi”

Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Berat Gjimshiti, ka folur me emocione pas fitores ndaj Serbisë, një sfidë që për të kishte edhe domethënie personale, përtej asaj sportive.

“Sigurisht që kishte emocione para ndeshjes dhe presion të madh, por kam përvojë dhe tani di si ta menaxhoj. Ishte një ndeshje speciale për mua – kam shumë afër Tërnocin, nga ku janë gjyshërit e mi dhe nga ku vij. Jam shumë i emocionuar,” – u shpreh Gjimshiti.

Ai vlerësoi edhe lidhjen e veçantë që ka me mbrojtësin tjetër, Arlind Ajeti:
“Kuptimi që kam me Ajetin daton që nga mosha 15-vjeçare kur ishim bashkë te Zvicra, te U21, e deri kur erdhëm bashkë te Kombëtarja. E njohim mirë njëri-tjetrin dhe nuk kemi asnjë problem në bashkëpunim.”

Gjimshiti shtoi se suksesi është meritë e të gjithë ekipit:
“Nuk jemi vetëm ne të dy – i gjithë ekipi dha maksimumin në çdo pjesë të fushës.”

Në fund, ai foli edhe për duelet me sulmuesin serb, Dusan Vlahoviç:
“Kam luajtur shpesh kundër Vlahoviçit dhe ia di cilësitë. Ka kaluar një periudhë të vështirë, por është sulmues me potencial. Kishte një rast të madh në pjesën e parë që nuk e goditi mirë – fat për ne. Megjithatë, mendoj se e kemi mbajtur nën kontroll.”

Julian Shehu pas fitores historike: “Dita më e lumtur e jetës time – krenar që i gëzuam shqiptarët”

Pas fitores së madhe ndaj Serbisë, mes emocionesh të forta ka folur edhe mesfushori Juljan Shehu, i cili e cilësoi këtë moment si më të rëndësishmin në jetën e tij profesionale.

“Emocionet janë të papërshkrueshme. Jemi super të lumtur dhe shumë të kënaqur. Besoj se është dita më e lumtur e jetës sime – jo vetëm për mua, por për të gjithë çunat. Jam krenar që i kemi gëzuar të gjithë shqiptarët”,  u shpreh Shehu.

Ai tha se motivimi për këtë ndeshje ishte maksimal dhe skuadra e dha gjithçka në fushë:
“Motivi ishte maksimal, ishte jetë a vdekje. E dhamë maksimumin që të vinte kjo ndeshje dhe ky moment për të gjithë shqiptarët.”

Shehu kujtoi edhe rrugëtimin e tij jo të lehtë drejt Kombëtares:
“Rrugëtimi im nga Kastrioti deri këtu s’ishte i lehtë. Kisha një lëndim para dy vitesh, por kam punuar shumë. Dhe, siç ndodh gjithmonë, puna shpërblehet – ja ku jemi sot.”

Në fund, ai nuk harroi të falënderojë të gjithë ata që e kanë mbështetur gjatë kësaj rruge:
“Faleminderit të gjithëve për mbështetjen!”

Myrto Uzuni
Myrto Uzuni

Myrto Uzuni: “Sakrifikoj edhe si mbrojtës i majtë për Kombëtaren – jam gjithmonë gati”

Mesfushori i Kombëtares, Myrto Uzuni, ka folur pas fitores historike ndaj Serbisë, duke theksuar përkushtimin dhe gatishmërinë që ai ka sa herë që vesh fanellën kuqezi.

“Ne momentin kur thirresh nga Kombëtarja, duhet të jesh i gatshëm të japësh gjithçka. Unë jam gati sa herë të më ftojnë. Sakrifikohem – edhe sikur të më kërkohet të luaj si mbrojtës i majtë – vetëm që të ndihmoj ekipin”, tha Uzuni.

Ai tregoi se ka luajtur një rol të rëndësishëm edhe në mbështetje të mbrojtësit Elseid Hysaj:
“E ndihmova edhe Hysajn, sepse si mbrojtës i majtë ai dilte shumë përpara dhe duhej sakrificë.”

Uzuni theksoi edhe përgatitjen serioze që kishte bërë për këtë ndeshje:
“Isha duke i studiuar kundërshtarët gjatë gjithë javës, me video personale. Doja të isha gjithsesi i përgatitur.”

Në fund, Myrto pyeti: A jemi LIVE?

Elseid Hysaj: “Pas 11 vitesh, më në fund e fituam! Rekordet janë për t’u thyer – tani i gëzohem unë”

Kapiteni i Kombëtares shqiptare, Elseid Hysaj, ka shpërthyer në emocion pas fitores historike ndaj Serbisë, një ndeshje që i ka dhënë Shqipërisë jo vetëm tri pikë të arta, por edhe një kapitull të ri në historinë e përballjeve mes dy skuadrave.

“Ndeshja, më në fund, u fitua – 11 vite për ta fituar! Gjithë festimi im dhe i pankinës, tregon sa grup fantastik jemi. Në fillim kishim vështirësi, mendonim se s’do t’ia dilnim, por ja që po shënojmë”,  deklaroi Hysaj.

Ai pranoi se ndonëse zakonisht nuk del nga fusha, këtë herë e bëri – për të përjetuar emocionin dhe për të bërë krahasimin me të kaluarën:
“Unë s’dal kurrë nga fusha pa mbaruar loja, por sot dola. Ju thashë çunave: ‘Duket sikur është qetë’, por kur luan këtu, asnjëherë nuk del qetë.”

Në fund, kapiteni foli edhe për rekordin e tij, duke thyer atë të Lorik Canës për më shumë ndeshje me fanellën kuqezi:
“Rekordet janë bërë për t’u thyer. Shyqyr që e thyeva Canën – do të mburrem para tre fëmijëve të mi. Ndoshta dikush do ta thyejë këtë rekord një ditë, por tani do t’i gëzohem unë.”

Kristjan Asllani: “Ishim të karikuar – fitorja ishte e vetmja alternativë”

Mesfushori i Kombëtares, Kristjan Asllani, ka reflektuar emocionet e fitores së madhe ndaj Serbisë, duke theksuar se grupi ishte i përqendruar dhe i motivuar maksimalisht për të marrë vetëm tri pikët.

“Ishim të karikuar sepse na duhej vetëm fitorja dhe vetëm tre pikët. Jemi shumë të lumtur – për veten tonë, për gjithë ekipin dhe për të gjithë shqiptarët. Është ndjenja më e bukur që kemi përjetuar prej se jemi pjesë e Kombëtares”,  u shpreh Asllani.

Ai ndau edhe gëzimin për Rey Manajn, autorin e golit të vetëm të ndeshjes:
“Jemi të lumtur që e bëri golin Manaj, sidomos pas asaj penalltie të humbur. E meritonte plotësisht.”

Në lidhje me vështirësitë në fushë, Asllani tha:
“Për mua ishte një ndeshje shumë e vështirë. Na mbanin një kundër një, por në pjesën e dytë u çliruam dhe luajtëm më lirshëm.”

Në fund, ai u shpreh i bindur se fitorja është ndjerë fort në çdo cep ku ka shqiptarë:
“Besoj se të gjithë shqiptarët e kanë përjetuar fort këtë fitore.”