Kombëtarja e Kosovës në hendboll ka nisur me fitore rrugëtimin në kualifikimet për Kampionatin Botëror 2027, duke triumfuar në përballjen e parë ndaj Britanisë së Madhe me rezultat 32:26. Ndeshja u zhvillua të mërkurën mbrëma në qytetin britanik Derby dhe shënoi një hap të madh drejt kalimit në raundin e dytë.
Edhe pse fillimi nuk ishte i mirë për dardanët – vendasit krijuan epërsi 5:1 – skuadra reagoi shpejt dhe mori kontrollin e lojës. Pjesa e parë u mbyll me avantazh 15:11 për Kosovën, ndërsa në pjesën e dytë përfaqësuesja jonë ruajti ritmin dhe e thelloi epërsinë deri në gjashtë gola diferencë në fundin e takimit.
Protagonist absolut ishte Leonard Gegaj me 9 gola, ndërsa mbështetjen e gjeti te Olsi Mulaj me 6 realizime dhe nga vëllezërit Drilon e Drenit Tahirukaj, si dhe Lulzim Shabani me nga 4 gola secili. Në portë shkëlqeu Haris Berisha me plot 19 pritje vendimtare.
Kjo ishte gjithashtu ndeshja debutuese për selektorin e ri, suedezin Jesper Ostlund, i cili drejtoi ekipin për herë të parë, me Jasmin Zhutën në rolin e asistentit.
Tani vëmendja është e gjitha te sfida e kthimit, që do të luhet të dielën më 2 nëntor në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, me fillim nga ora 17:15. Kosova do të kërkojë një tjetër fitore për të siguruar kualifikimin në fazën e dytë të kualifikueseve për Botërorin 2027.

