Prishtina trondit kampionët kroatë në shtëpi – trajneri i Novo Vrijeme: Një nga humbjet më të mëdha në karrierë

FC Prishtina 01 ka shënuar një fitore të bujshme ndaj kampionëve aktualë të Kroacisë, Novo Vrijeme, duke i mposhtur në shtëpinë e tyre në Makarska me rezultat 7:6, në kuadër të xhiros së dytë të Grupit 4 në Ligën e Kampionëve në futsall. Pas kësaj disfate, skuadra kroate ka humbur të gjitha gjasat për kualifikim në Rundën Elite, një xhiro para fundit.

Fitorja e madhe për kampionët e Kosovës në futsall ndaj Novo Vrijeme – Alaj vendos ndeshjen në minutën e 39-të

Media kroate Index ka publikuar reagimin e trajnerit të Novo Vrijeme, Ivan Bozhoviç, i cili nuk i fshehu zhgënjimin pas ndeshjes:

“Kjo ndoshta është një nga humbjet më të mëdha në karrierën time. Jo vetëm për shkak të rezultatit, por edhe për mënyrën si ndodhi. Në jetë asgjë nuk është rastësi. Lojtarët tanë prej kohësh nuk janë të përqendruar në fushë, dhe kjo ndoshta është pasqyra e realitetit tonë. Golat ia kemi shënuar vetes. Nuk ishin gabime lojtari, ishin gjëra të pabesueshme. Kam parë situata të tilla ndonjëherë, por katër-pesë gabime të tilla në një ndeshje – nuk e mbaj mend të kenë ndodhur as në ligat e ulëta”, deklaroi Bozhoviç i zhgënjyer.

I pyetur për shkakun e gabimeve të shumta, trajneri u shpreh:

“Këto gjëra nuk ndodhin rastësisht. Mund të ndodhë që një lojtar të ketë një ditë të keqe, por kur shumica nuk funksionon… nuk janë këta lojtarë që nuk dinë të luajnë.”

Ndërsa për të ardhmen e ekipit, Bozhoviç tha shkurt:

“Nuk kam përgjigje për këtë pyetje.”

Standings provided by Sofascore
FC Prishtina 01 nesër nga ora 17:00 ndeshet me skuadrën kazake, Kairat.