Kombëtarja e Kosovës në hendboll (meshkujt) ka siguruar një arritje historike, duke u kualifikuar për herë të parë në raundin e dytë të kualifikimeve për Kampionatin Botëror “Gjermani 2027”. Djelmoshat tanë triumfuan edhe në ndeshjen e kthimit ndaj Britanisë së Madhe me rezultat 35:30, në sfidën e zhvilluar të dielën në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë.
Pas fitores së parë të arritur të mërkurën në Derby të Anglisë (32:26), Kosova konfirmoi epërsinë edhe në shtëpi, duke dominuar ndeshjen dhe duke përmbyllur një fazë të parë kualifikuese pa asnjë humbje.
Skuadra jonë mbylli pjesën e parë në epërsi 17:13, ndërsa në pjesën e dytë e ruajti kontrollin e lojës falë lojës së disiplinuar dhe përkrahjes së zjarrtë nga tribunat.
Selektori Jesper Ostlund kanë lavdëruar shpirtin garues dhe përkushtimin e lojtarëve, të cilët me këtë sukses i kanë dhënë Kosovës një vend meritor në fazën e dytë të kualifikimeve për një ngjarje madhore botërore.
Atmosfera në ekip ka qenë pozitive që nga kthimi nga Anglia, ndërsa mbështetja nga publiku vendas ka qenë një shtysë shtesë drejt këtij suksesi historik.
Kjo është hera e gjashtë që Kosova merr pjesë në kualifikimet për një Kampionat Botëror, por hera e parë që kalon në fazën e dytë. Botërori i vitit 2027 do të mbahet në Gjermani nga 13 deri më 31 janar.

