Përmes një njoftimi zyrtar, Vëllaznimi ka konfirmuar rikthimin e Jericole Hellems, basketbollistit amerikan që shkëlqeu sezonin e kaluar me ngjyrat kuqezi.
Sipas postimit të klubit, Hellems “po rikthehet në fole, aty ku shkroi histori me ngjyrat kuqezi” dhe do të mbrojë përsëri fanellën e ekipit me krenari.
Basketbollisti është i njohur për aftësitë e tij dhe ndikimin e madh në sezonin e mëparshëm, ku kontribuoi në fitimin e Ligës Unike.
Klubi thekson se Hellems ka refuzuar oferta të tjera për t’u rikthyer në Vëllaznim, duke nënvizuar se ky është klubi i vetëm për të cilin do të luante në Kosovë, për shkak të ambientimit në qytetin e Gjakovës.
Hellems u paraqit së fundmi në elitën e basketbollit hungarez, te ekipi Zalakeramia ZTE, nga i cili u largua pas një periudhe të shkurtër.
Rikthimi i tij në Kosovë është konsideruar i nevojshëm për të forcuar ekipin, i cili ka nisur edicionin e ri me rezultate negative.
Në pesë ndeshjet e para, kuqezinjtë kanë regjistruar katër humbje dhe një fitore.

