Pas disa ndeshjesh ku ka treguar formë të lartë dhe ka kërkuar me ngulm golin, Florent Muslija më në fund e gjeti rrjetën në mënyrën më të bukur të mundshme. Mesfushori kreativ i Kosovës realizoi një perlë nga distanca në minutën e 74-të të ndeshjes ndaj Zvicrës, duke i siguruar ekipit një barazim të vlefshëm dhe një tjetër ndeshje pa humbje në kualifikime.
Ky gol ishte i treti tentim i tij nga një pozitë pothuajse identike – në anën e djathtë të sulmit, duke synuar cepin e majtë të portierit. Tentativa e parë në ndeshjen ndaj Sllovenisë në Lubjanë për pak nuk rezultoi gol, ndërsa dje në minutën e 55-të provoi sërish, këtë herë nga një distancë më e largët. Ishte e treta e vërteta – me një goditje të ekzekutuar në mënyrë perfekte, që ndryshe mund të përshkruhet si “banane klasike”, Muslija realizoi një gol që do të mbahet mend gjatë.
Përveç golit, paraqitja e tij ishte ndër më të mirat në fushë. Statistikat individuale e dëshmojnë këtë:
-
50 pasime të sakta nga 54 gjithsej (93% saktësi)
-
5 topa të gjatë të realizuar me saktësi 100%
-
26 pasime të sakta në gjysmën e fushës kundërshtare
-
7 krosime, prej të cilave një i saktë
-
72 prekje topi dhe vetëm një prekje e pasaktë
-
3 goditje drejt portës, një në kuadrat dhe një e bllokuar
-
2 ndërhyrje të sakta në mbrojtje dhe 5 rikuperime
-
8 duele tokësore, nga të cilat fitoi 3
Pas ndeshjes, Muslija shprehu kënaqësinë për kontributin e tij, duke theksuar rëndësinë e bashkimit dhe shpirtit ekipor:
“Jam shumë i lumtur që munda të ndihmoj ekipin. Dhamë maksimumin si skuadër, ashtu siç duhet të jemi në çdo ndeshje, duke treguar cilësitë që i kemi. Atmosfera në stadium ishte fantastike, na bëri krenarë të gjithëve. Tani jemi gati të vazhdojmë tutje”, deklaroi ai.
Muslija po shfaqet si një nga shtyllat kryesore të Kosovës në këtë fushatë, me rritje të vazhdueshme në formë dhe ndikim të qartë në rezultate. Në prag të ndeshjeve vendimtare të play-off-it, një Muslija në këtë formë është pasuri e madhe për përzgjedhësin Franco Foda.
