
Uliks Emra, i lindur në vitin 1983, sot ka mbushur 42 vite. Emra e nisi karrierën si sulmues në futbollin kosovar duke lënë gjurmë të pashlyeshme në një dekadë të artë në futbollin e Kosovës, duke filluar nga Liria, te Prishtina ku bëri bujë, te Vëllaznimi, pak te Trepça dhe anëtar i padiskuteshëm i Përfaqësueses së Kosovës për kohën kur ekipi ynë kombëtare nuk ishte i pranuar ende.

Një lojtar i shpejtë, teknikisht i rafinuar dhe vendimtar në ndeshjet e mëdha, Emra ishte ndër figurat më të spikatura të brezit të tij. Shumë i ri nisi karrierën te Liria e Prizrenit, edhe më shpejtë përfundoi në klubin më të madh në vend, Prishtina si 18-vjeçar.
Me KF Prishtinën, ai fitoi kampionatin e Kosovës në vitin 2004 dhe Kupën e Kosovës në vitin 2006, duke qenë tituj të rëndësishëm në historinë e klubit në atë periudhë. Trofeu i Kupës kishte mbërritur në kryeqendër pas 11 vitesh mungesë.

Gjatë pesë sezoneve të tij me Prishtinën (2001–2004 dhe 2005–2007), regjistroi 134 ndeshje, me një bilanc prej 76 fitoreve, 29 barazimeve dhe 29 humbjesh, si dhe 38 gola të realizuar – një statistikë që e vendos ndër lojtarët më kontribuues të klubit.

Ai ishte gjithashtu fitues i Kupës së Kosovës me Lirinë në vitin 2010 dhe i Kupës me Vëllaznimin në vitin 2008, duke mbetur ende trofeu i vetëm i gjakovarëve pas luftës.
Debutimin në futbollin profesionist e kishte bërë që në sezonin 1999/2000, duke u dalluar herët për intuitën në zonë dhe shpejtësinë në kundërsulm.

Emra, ka një statistikë të jashtëzakonshme sa ishte futbollist, si student i Fakultetit Juridik, kishte arritur notën mesatare mbi 9.5 si stundentët ndër më të dalluarit
Pas përfundimit të karrierës aktive si futbollist, Emra i hyri një rruge të re, duke ndërtuar një profil të lartë akademik dhe diplomatik. Studimet i përfundoi në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, si një nga studentët më të dalluar me një mesatare mbi 9.5 dhe nota të shkëlqyera. Pas kësaj, vazhdoi me Master në Shkenca Penale, dhe më pas kreu një specializim në Diplomaci në Universitetin e Zagrebit.
Në skenën publike dhe institucionale, Emra ka shërbyer si Këshilltar Politik i ish-Zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi në vitin 2010–2011, më pas si Sekretar në Institutin për Hulumtimin e Krimeve të Luftës gjatë 2011–2012. Nga 2012 deri në 2014 ishte Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme, dhe për një vit ushtroi edhe detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm.
Në shërbimin diplomatik jashtë vendit, Emra përfaqësoi Republikën e Kosovës fillimisht në Ambasadën në Kroaci, ku për 4.5 vjet ishte Zëvendësambasador, dhe më pas Ngarkuar me Punë dhe Shef Misioni për rreth një vit. Nga 2019 deri në 2022 ai shërbeu si Ambasador i Kosovës në Norvegji, duke konsoliduar pozitat ndërkombëtare të shtetit të ri në arenën diplomatike evropiane.
Uliks Emra përfaqëson një shembull të rrallë të sukseseve të shumëfishta – nga sporti te diplomacia, nga fushat e blerta te ato institucionale. Ai mbetet një figurë e dalluar e Kosovës, me një karrierë që shërben si frymëzim për gjeneratat e reja.
