Messi - Flick

Mes spekulimeve dhe ëndrrave që vetëm futbolli mund t’i ushqejë, emri i Lionel Messit mbetet një prej më të përfolurve. Vizita e papritur e argjentinasit në “Camp Nou”, e shoqëruar me një mesazh emocional në rrjetet sociale, ka ndezur sërish shpresat e tifozëve të Barcelonës për një rikthim të mundshëm, shkruan Marca madrilene.

Por sa realist është ky skenar? A do të kishte vend Messi në skemën e trajnerit aktual, Hansi Flick?

Pengesa emocionale: Marrëdhënia me Laportën ende e krisur

Një nga faktorët kryesorë që e bëjnë rikthimin e Messit të vështirë është marrëdhënia e ftohtë me presidentin Joan Laporta. Mënyra se si ndodhi largimi i tij në vitin 2021 nuk është harruar nga familja Messi.
“E di nga burime të tjera që Leo dhe familja e tij janë shumë, shumë të mërzitur me Laportën” – ka deklaruar ish-nënkryetari i Barçës, Jordi Mestre.

Edhe pse tensionet janë zbutur dhe Laporta ka tentuar të rikuperojë raportin me deklarata publike, nuk ka pasur ende asnjë përgjigje nga vetë Messi.

m1

Çështja taktike: Si do të përshtatej Messi në Barcelonën e Flick?

Në aspektin futbollistik, debati është i hapur: në cilin rol do të mund të luante Messi në një skuadër që tashmë funksionon ndryshe nga epoka e tij?

Dy janë pozicionet më të mundshme për të:

  1. Si “fals 9” në qendër të sulmit – Një rol që e ka interpretuar shpesh gjatë karrierës. Me Flick, që favorizon një sulm dinamik ku krahët futen në mes dhe anësorët si Balde apo Koundé avancojnë, Messi mund të ishte boshti krijues. Me lojtarë si Lamine Yamal, Raphinha, Dani Olmo, Fermín, Rashford dhe Ferran Torres përreth, një Messi në qendër do ishte një luks teknik.

  2. Si mesfushor ofensiv – Një rol që aktualisht ndahet mes Fermín dhe Olmos. Në këtë skemë, Messi do kishte një dyshen mbrojtëse pas vetes dhe do fokusohej vetëm në organizimin e sulmit, duke u lidhur me emra si Frenkie de Jong dhe Pedri. Edhe ky variant duket natyral dhe i përshtatshëm për moshën dhe stilin aktual të tij.

m2

Pengesa e fundit: Botërori 2026 dhe ritmi i garave

Një tjetër faktor që ndikon është kalendari. Sezoni i MLS mbyllet në dhjetor, dhe Messi do të qëndrojë pa ndeshje deri në mars, kur rifillon kampionati amerikan. Me Kupën e Botës 2026 në horizont, është e vështirë të imagjinohet që ai të rrezikojë me një huazim apo një rikthim të përkohshëm në Evropë, që do t’i rëndonte fizikisht.

Megjithëse një rikthim i Messit në “Camp Nou” mbetet ende në sferën e ëndrrave, për tifozët katalanas është një ide që ndez zemrat. Futbolli ka treguar shpesh se asgjë nuk është e pamundur – sidomos kur në skenë është një emër si Lionel Messi.