Amir Rrahmani mungon ndaj Suedisë për shkak të lëndimit

Ami Rrahmani
Ami Rrahmani

Kapiteni i Kombëtares së Kosovës, Amir Rrahmani, do të mungojë në ndeshjen e radhës kundër Suedisë, që zhvillohet të hënën në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror “SHBA-Kanada-Meksikë 2026”.

Pavarësisht dëshirës për të qenë në dispozicion të përfaqësueses, pas ekzaminimeve të detajuara mjekësore është konstatuar se Rrahmani nuk është i gatshëm për këtë sfidë, për shkak të një lëndimi të pësuar në ndeshjen e fundit ndaj Zvicrës në Bazel.

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka njoftuar se qendërmbrojtësi është liruar nga grumbullimi dhe është kthyer në klubin e tij për të vijuar trajtimin mjekësor. Synimi është që ai të rikuperohet plotësisht dhe të jetë i gatshëm për ndeshjet e muajit tetor, ku Kosova përballet me Slloveninë dhe përsëri me Suedinë.