Zum Inhalt springen
whatsapp image 2025 11 19 at 41406 pm

Analizë: Kush i nisi fishkëllimat ndaj Xhakës? E vërteta për një grup që po dëmton imazhin e Kosovës

Von
3 Min. Lesezeit

Ndeshja mes Kosovës dhe Zvicrës nuk ishte vetëm përballje sportive, por u shndërrua edhe në një betejë simbolike për sjelljen dhe imazhin që Kombëtarja e Kosovës dëshiron të ndërtojë në arenën ndërkombëtare. Fishkëllimat ndaj kapitenit të Zvicrës, Granit Xhaka, i dhanë një hije të panevojshme një mbrëmjeje që duhej të ishte kremte për kualifikimin historik të Kosovës në “play-off”.

Por ku e ka zanafillën ky reagim që mori vëmendje të madhe në opinionin vendor, mediat rajonale e ndërkombëtare?

Informacione të ndryshme të mbledhura nga burime të afërta konfirmojnë se fishkëllimat nuk nisën nga tifozët e organizuar si “Dardanët” apo nga pjesa dërrmuese e publikut në “Fadil Vokrri”, por nga një grup i vogël i pozicionuar në tribunën lindore – një zonë që tradicionalisht rezervon bileta për individë me lidhje të drejtpërdrejta në ambientet e jetës publike të Prishtinës.

Ky grup përbëhet nga disa persona të njohur, të lidhur me pronësi kryesisht lokale kafiterish në kryeqytet. Ata prej kohësh zënë të njëjtat ulëse në këtë tribunë dhe shpesh kanë krijuar një lloj rrethi të mbyllur, me një mendësi që i jep të drejtë vetëm vetes për të gjykuar, komentuar dhe shpesh, për të denigruar gjithçka që nuk përputhet me perceptimin e tyre, sidomos në raport me Shqipërinë dhe me Diasporën tonë kur nuk pranojnë të veshin fanellën e Kosovës. Por edhe me gjëra tjera politike që vetëm ata dijnë në atë mënyrë t’i paketojnë!

Pikërisht nga kjo zonë nisën fishkëllimat ndaj Xhakës – një reagim që jo vetëm nuk përfaqëson pjesën më të madhe të tifozëve të Kosovës, por që bie ndesh me vet frymën bashkuese të futbollit dhe shqiptarëve në raport me shqiptarë. Ajo që ndodhi të martën mbrëma nuk është pasojë e një zhgënjimi sportiv, por shprehje e një qasjeje të gabuar, që për fat të keq, po dëmton përpjekjet për të ndërtuar një imazh serioz dhe dinjitoz për përfaqësuesen tonë. Shpesh ky grup, ka fishkëlluar edhe himne të shteteve të ndryshme nëpër ndeshje!

Kryetari i FFK-së ka njohuri për ekzistencën e këtij grupi dhe e ka bërë të qartë në reagimin e tij se fishkëllimat e djeshme janë të dënueshme dhe përfaqësojnë një sjellje të papranueshme në një ambient që synon standarde të bashkimit dhe afrimit të tjerëve afër nesh.

Reagimi i publikut të gjerë ishte i qartë – shumica e qytetarëve, tifozëve dhe njerëzve të futbollit, e kanë dënuar këtë sjellje. Në rrjetet sociale dhe në opinionin publik, përgjigjja ishte e qartë: Kosova nuk është ajo fishkëllimë.

Në fund, imazhi i Kosovës ndërtohet nga shumica, jo nga një grup i paemëruar e i zhurmshëm që në momente të caktuara përpiqen të vendosin axhendën përmes gjesteve të shëmtuara. Suksesi i Kombëtares, përkushtimi i lojtarëve dhe krenaria e përfaqësimit duhet të jenë përqendrimi i vetëm. Jo zërat e vetmuar të atyre që e ngatërrojnë futbollin me egon personale.

Ishte e turpshme t’i hapje mediat rajonale, sidomos ato të fqinjëve veriorë, me sa pompozitet kishin hedhur titujt: ‘Xhaka fyhet në Prishtinë’.”

Teilen: Facebook X