
Ardon Jashari ka zbritur në Itali dhe nesër në mëngjes do t’i nënshtrohet vizitave mjekësore te Milani, pasi është arritur marrëveshja përfundimtare me Club Brugge, me një kosto totale prej 38-39 milionë eurosh, përfshirë bonuse.
Pas më shumë se një muaji negociatash të zgjatura, palët gjetën gjuhën e përbashkët ditën e hënë. Sipas burimeve të ndryshme, shifra fikse e transferimit varion mes 34 dhe 36 milionë eurosh, ndërsa bonuset shtesë llogariten në 3-4 milionë euro.
Jashari, i cili tashmë kishte rënë dakord për kushtet personale me kuqezinjtë – një kontratë pesëvjeçare me vlerë 2.5 milionë euro në sezon – mezi kishte pritur konfirmimin për të udhëtuar drejt Milanos.
Eccolo Jashari al Melia. Saga over pic.twitter.com/ILVqNbqkzp
— Daniele Longo (@86_longo) August 5, 2025
Lojtari 23-vjeçar udhëtoi me avion privat të siguruar nga Milani dhe mbërriti mbrëmjen e sotme në aeroportin Linate. Ai është akomoduar në Hotel Melià, vendi tradicional ku Milani strehon përforcimet e reja përpara kontrolleve mjekësore.
Mbështetësit kuqezinj pritet të mblidhen jashtë hotelit për ta përshëndetur Jasharin, i cili ka refuzuar oferta më të majme nga jashtë vendit, pasi dëshira e tij ishte e qartë: të vishte fanellën e Milanit – klub të cilin e ka ndjekur që në fëmijëri, pas një vizite në “San Siro”.