Atalanta
Atalanta u mposht bindshëm këtë të diel, duke u deklasuar 3:0 nga Sassuolo në ndeshjen e kampionatit italian.
Vendasit nuk arritën të reagojnë në asnjë moment, ndërsa miqtë kontrolluan plotësisht lojën.
Në portën e Sassuolos kishte paraqitje të sigurt Arijanet Muriq. Portieri i Kosovës u dallua me pritje dhe ndërhyrje të sakta, duke kontribuar dukshëm në fitoren e ekipit.
Rezultati u zhbllokua në minutën e 29-të me penalltinë e realizuar nga Domenico Berardi. Andrea Pinamonti shënoi golin e dytë në minutën e 47-të, ndërsa Berardi e vulosi rezultatin me golin e tij të dytë në minutën e 66-të.
Te Atalanta, kapiteni i Shqipërisë, Berat Gjimshiti, u aktivizua nga fillimi i pjesës së dytë dhe regjistroi paraqitjen e tij të 300-të me fanellën e klubit bergamask.
Sassuolo ngjitet në 16 pikë dhe qëndron në mesin e tabelës, ndërsa Atalanta mbetet tri pikë më poshtë në të njëjtën zonë të renditjes.