Baliqi pas rikthimit të madh në Hogosht: Pa mendjemadhësi: fitorja është e lojtarëve dhe e karakterit të tyre

emin baliqi
Emin Baliqi

Përmbysje spektakolare në Hogosht: Trepça nga 0-2 në 3-2 ndaj Kikës.

Një ndeshje dramatike është zhvilluar në Hogosht, ku Kika e nisi furishëm duelin ndaj Trepçës, duke shënuar dy herë brenda 13 minutash me Harbin Reçicën dhe Benet Spahiun. Por pjesa e dytë solli një kthesë të madhe, me skuadrën e trajnerit Emin Baliqi që përmbysi gjithçka dhe doli fituese me rezultatin 3-2, duke u rikthyer në zonën e lartë të tabelës.

Golat për mitrovicasit erdhën nga Endrit Reci (55’), Ardit Miftari (62’) dhe Lucas Cunha (68’), të cilët vulosën një triumf të madh jashtë fushe.

Pas ndeshjes, trajneri Baliqi foli për Kërlaçki, duke theksuar rolin vendimtar të futbollistëve që hynë nga stoli:

“Çka me thënë për karakterin e lojtarëve, sidomos atyre që u futën nga bankina – Mziu, Miftari, Cunha, Imeri – të cilët ndryshuan rrjedhën e ndeshjes në favorin tonë. Thjesht për tokë, pa mendjemadhësi: fitorja është e lojtarëve dhe e karakterit të tyre.”

Në javën e 8-të, Trepça do të presë në Mitrovicë skuadrën e Suharekës, e cila sot mposhti Prizrenin me rezultat 2-1.