2. November 2025

Ballkani gabon ndaj Ferizajt në shtëpi, i jep një tjetër mundësi Prishtinës të shkëputet

Foto: FC Ballkani

Foto: FC Ballkani

Ballkani ka bërë një hap të gabuar në xhiron e 12-të të Superligës së Kosovës në futboll. Suharekasit barazuan 1:1 me Ferizajn në ndeshjen e zhvilluar të shtunën në stadiumin e qytetit në Suharekë, ndonëse ishin në epërsi.

Ëalid Hamidi kaloi Ballkanin në avantazh në minutën e 16-të. Sulmuesi algjerian harkoi në zonë, topi nuk u prek nga askush dhe përfundoi në rrjetë – goli i tij i dytë këtë edicion.

Ferizaj reagoi në pjesën e dytë dhe arriti të barazojë shifrat në minutën e 48-të.

Betim Haxhimusa shënoi nga afërsia për 1:1, rezultat që mbeti deri në fund.

Pas këtij rezultati, Ballkani mbetet në vendin e dytë me 23 pikë – dy më pak se lideri Prishtina, e cila sonte (nga ora 18:30) përballet me Gjilanin në “Fadil Vokrri”.

Ferizaj, ndërkohë, ngjitet në pozitën e shtatë me 14 pikë, aq sa ka edhe Drenica, që ka një ndeshje më pak të zhvilluar.

Foto: FC Ferizaj
Foto: FC Ferizaj