Ballkani ngre zërin për titull, Dukagjini s’është më surprizë – Llapi fundoset, Ferizaj tronditet

dukagjini - bllkani
Dukagjini - Bllkani

Java e 6-të e AlbiMall Superligës konfirmoi se gara për titull këtë edicion do të jetë më e ashpër se kurrë. Ballkani triumfoi bindshëm ndaj kampionëve të Dritës me rezultat 2-0, duke treguar qartë se rikthimi në fron është objektiv i padiskutueshëm. Fitorja e radhës dhe loja e pjekur e skuadrës së Orges Shehit janë sinjale të qarta për rivalët.

albimall superliga - tabela java 6
albimall superliga tabela java 6

Por në krye të tabelës qëndron Dukagjini. Të besuarit e Ismet Munishit, që dikur cilësoheshin si surprizë, tashmë janë kthyer në pretendentë seriozë. Me fitoren 3-1 ndaj Llapit, klinasit ruajtën kreun dhe fituan edhe më shumë respekt në skenën e futbollit vendor.

Drenica vijon ngjitjen e heshtur, por të qëndrueshme. Me një tjetër fitore minimale, këtë herë ndaj Gjilanit në minutat shtesë, kuqezinjtë u ngjitën në vendin e tretë dhe po tregohen efikasë në menaxhimin e ndeshjeve të ngushta.

Në anën tjetër, Malisheva mori tri pikë me shumë peshë ndaj Ferizajt, duke u larguar nga zona e rrezikut. Ndërsa presioni po rritet ndjeshëm mbi trajnerin e Ferizajt, Arsim Abazin, pas humbjes së katërt sezonale. Situata është e paqëndrueshme dhe lëvizjet në pankinë nuk përjashtohen.

Kriza më e thellë është pa dyshim te Llapi. Pa asnjë fitore pas gjashtë javësh dhe në fund të tabelës, skuadra e drejtuar nga Tahir Batatina po kalon një prej momenteve më të vështira. Pas disfatës së radhës duket se Batatina është pranë fundit të një epoke.

Superliga vazhdon të dhurojë emocion dhe rivalitet të lartë, ndërsa pritet me interes sfida mbyllëse e javës mes Prishtinës dhe Prishtinës së Re, që mund të sjellë lëvizje të rëndësishme në pjesën e sipërme të tabelës.

albimall superliga - rezultatet java 6
albimall superliga rezultatet java 6