Kampioni i Kosovës, Ballkani, do të zbresë sonte në fushën e stadiumit “Fadil Vokrri” për të përballuar irlandezët e Shamrock Rovers, në ndeshjen e parë të raundit të tretë të Ligës së Konferencës.
Takimi fillon në ora 20:30 dhe pritet të jetë një duel i fortë mes dy skuadrave me përvojë në garat evropiane.
Ballkani arriti në këtë fazë pasi eliminoi me sukses skuadrën malteze Floriana, ndërsa Shamrock kaloi ekipin gjibraltaras St Joseph’s. Të dyja skuadrat kanë ambicie për të shkuar më tej dhe çdo gabim mund të jetë vendimtar.
Në prag të sfidës, trajneri Orges Shehi ka theksuar rëndësinë e faktorit fushë dhe përvojës që Ballkani ka ndërtuar vitet e fundit në Evropë.
Përkundër sfidës së vështirë, Ballkani mbetet i vendosur të marrë një rezultat pozitiv para ndeshjes së kthimit në Dublin.