Ballkani shet sulmuesin Sunday Adetunji te Al Hilal

Sunday Adetunji
#post_seo_title

Tre herë kampionët e Kosovës, FC Ballkani, kanë zyrtarizuar sot largimin e sulmuesit nigerian Sunday Adetunji, i cili do të vazhdojë karrierën e tij te klubi sudanez Al Hilal.

Lajmi u bë publik nga vetë klubi suharekas, që njoftoi arritjen e marrëveshjes me klubin afrikan, duke mbyllur kështu një kapitull të rëndësishëm për një nga lojtarët më të dalluar të viteve të fundit në Superligën e Kosovës.

Adetunji, 27-vjeçar, ishte transferuar te Ballkani një vit më parë nga Celje i Sllovenisë dhe që nga ajo kohë u bë një nga pikat më të forta të ofensivës portokalli. Me fanellën e Ballkanit ai regjistroi 38 paraqitje, 22 gola dhe 7 asistime, duke u konfirmuar si një prej sulmuesve më të rrezikshëm të ligës. Shifrat e transferimit drejt Al Hilalit nuk janë bërë publike, por sipas vlerësimeve të faqes “Transfermarkt”, kartoni i tij vlerësohet rreth 600 mijë euro.

Në komunikatën zyrtare, Ballkani falënderoi futbollistin për kontributin e dhënë dhe i uroi suksese në aventurën e re. “Gjatë periudhës sa ishte pjesë e skuadrës sonë, Adetunji dha një kontribut të rëndësishëm. E falënderojmë për gjithçka që solli në klub dhe i dëshirojmë shumë suksese në karrierën e tij te Al Hilal”, thuhej në njoftim.

Me këtë transferim, Ballkani humb një nga lojtarët më produktivë, por njëkohësisht dëshmon edhe një herë se është bërë adresë e lojtarëve cilësorë që shihen nga tregu ndërkombëtar si investim i vlefshëm.

Sunday Adetunji
Sunday Adetunji