Tre skuadra kosovare në basketboll të mërkurën në arenën ndërkombëtare

Trepça dhe Bashkimi në FIBA Europe Cup, Peja në ENBL League. Basketbolli kosovar vazhdon angazhimin në garat ndërkombëtare, ku tri skuadra nga Superliga e Kosovës do të zbresin në parket të mërkurën në kuadër të xhiros së dytë të kompeticioneve evropiane.
Trepça – Basketball Braunschweig (FIBA Europe Cup, Grupi F)
Kampioni aktual i Kosovës, KB Trepça, rikthehet në „Minatori“ pas një paraqitjeje të mirë në Selanik, ku u mposht nga PAOK me rezultat 85:74.
Në xhiron e dytë, mitrovicasit do të përballen me skuadrën gjermane Basketball Braunschweig, e cila në ndeshjen e parë triumfoi ndaj Anwilit të Polonisë pas vazhdimeve, 98:97.
Ndeshja zhvillohet të mërkurën nga ora 18:30 në Mitrovicë.
Reggiana – Bashkimi (FIBA Europe Cup, Grupi J)
Bashkimi nga Prizreni, që pësoi humbje në Zagreb nga Cibona (93:79), këtë javë do të përballet me Reggianën në Itali.
Skuadra italiane vjen pas një fitoreje ndaj Dijonit të Francës, të arritur pas vazhdimeve me rezultat 96:88.
Takimi zhvillohet të mërkurën në ora 20:00.
Dubrava – Peja (ENBL League, Grupi C)
Pas humbjes në Prishtinë ndaj Rigas Zelli (83:72), Peja do të kërkojë fitore në përballjen kundër Dubravës në Zagreb.
Skuadra kroate gjithashtu pësoi humbje në xhiron e parë nga Spartak Pleven i Bullgarisë (83:82).
Ndeshja zhvillohet të mërkurën në ora 20:00.
Prishtina pauzon deri në fund të tetorit
Skuadra e katërt nga Kosova që merr pjesë në garat ndërkombëtare, KB Prishtina, kryeson Grupin B të ENBL League me dy fitore nga dy ndeshje.
Prishtinasit nuk luajnë këtë javë dhe do të rikthehen në parket më 29 tetor, në udhëtim ndaj Slovan Bratislava në Sllovaki.


