Bashkimi debuton me humbje në FIBA Europe Cup

Bashkimi
Bashkimi

Bashkimi ka debutuar me humbje në fazën grupore të “FIBA Europe Cup”. Të enjten mbrëma, nënkampioni i Kosovës u mposht në Zagreb nga skuadra e madhe kroate, Cibona.

Ndeshja, e zhvilluar në palestrën “Dražen Petrović”, u mbyll me fitoren e Cibonës 93:79.

Ekipi i udhëhequr nga trajneri Igor Jovoviq nisi mirë, duke fituar çerekun e parë 22:18. Megjithatë, eksperienca e basketbollistëve të Cibonës u duk në çerekët e dytë dhe të tretë, të cilët u fituan me 29:19 dhe 27:15, duke krijuar diferencën vendimtare. Bashkimi fitoi vetëm çerekun e fundit 23:19, por kjo nuk mjaftoi për të shmangur humbjen me 14 pikë diferencë.

Epërsia më e madhe e Cibonës arriti deri në 20 pikë.

Te Bashkimi, Kyan Anderson ishte më i dalluari me 22 pikë, një kërcim, një asistim dhe dy topa të vjedhur. Jan Palokaj shtoi 16 pikë, një kërcim, katër asistime dhe një top të vjedhur, ndërsa Isaiah Cousins shënoi 15 pikë, kontribuoi edhe me tri kërcime dhe dy asistime.

Kjo ishte paraqitja e parë e Bashkimit në skenën kontinentale. Në raundin kualifikues të “FIBA Europe Cup”, ata u ndalën pas dy ndeshjeve nga Anwili i Polonisë, por avancuan në fazën grupore si një nga skuadrat më të mira humbëse.

Në grupin e Bashkimit ndodhen edhe Dijoni nga Franca dhe Reggiana nga Italia. Të enjten, Reggiana mposhti Dijonin 96:88 në ndeshjen e parë.

Në sezonin e rregullt të “FIBA Europe Cup” marrin pjesë 40 skuadra, ndërsa vetëm fituesit e dhjetë grupeve kalojnë në raundin e dytë. Përveç tyre, edhe gjashtë ekipet më të mira në vend të dytë avancojnë më tej.

Në fazën grupore të këtij kompeticioni është edhe Trepça, kampionia e Kosovës, e cila humbi ndeshjen e parë të Grupit F të mërkurën mbrëma ndaj PAOK-ut grek. Në të njëjtin grup janë edhe Braunschweig nga Gjermania dhe Anwili nga Polonia, me PAOK-un dhe Braunschweigin që kryesojnë pas xhiros së parë.

Bashkimi
Bashkimi