Bashkimi shënon fitoren më të madhe në histori të klubit, mposht gjigantin polak Anwil

Klubi i Basketbollit Bashkimi ka marrë një fitore të madhe në kuadër të kualifikimeve për FIBA Europe Cup, duke triumfuar ndaj skuadrës polake Anwil me rezultat 80:75.
Skuadra prizrenase e nisi ndeshjen me intensitet të lartë dhe arriti të mbajë epërsinë gjatë gjithë takimit.
Megjithatë, në çerekun e katërt polakët u rikthyen fuqishëm, duke e bërë sfidën dramatike deri në sekondat e fundit, por prizrenasit e kërkuan më shumë fitoren dhe e arritën atë.
Atmosfera në palestrën “Sezai Surroi” ishte elektrizuese, me tribunat e mbushura plot nga tifozët vendas që ishin shtytja kryesore për ekipin portokallezi.
Marrë parasysh kundërshtarin, kjo është një prej fitoreve më të mëdha të skuadrave kosovare në Evropë.
Ndeshja e kthimit do të zhvillohet më 1 tetor në Poloni.

