Bashkimi ka regjistruar fitoren e katërt radhazi në ProCredit Superligë, duke triumfuar në derbin e javës kundër Sigal Prishtinës, me rezultat 106:88 (22:19, 29:17, 27:30, 28:22). Me këtë fitore, skuadra nga Prizreni ruan ecurinë perfekte në katër ndeshjet e para të sezonit. Ndërsa Trepça me vështirësi triumfoi ndaj Yllit, 67-65.
Në një ndeshje me ritëm të lartë, Kyan Anderson u dallua te Bashkimi me 31 pikë dhe tetë asistime, duke qenë një prej faktorëve kryesorë në suksesin e skuadrës. Për Sigal Prishtinën, Arian Azemi ishte më efikasi me 22 pikë dhe pesë asistime.
Ky ishte humbja e parë për kryeqytetasit pas tri fitoreve në nisje të kampionatit, ndërsa Bashkimi konfirmon formën e lartë dhe ambiciet për kreun e tabelës.
Kampionët fitojnë në çastet e fundit – Trepça mposht Golden Eagle Yllin në Mitrovicë
Trepça ka siguruar një fitore dramatike ndaj Golden Eagle Yllit me rezultat 67:65 (20:18, 10:22, 16:13, 21:12), në kuadër të javës së katërt të ProCredit Superligës.
Përballja u karakterizua nga një kthesë e madhe në çerekun e fundit, kur mitrovicasit përmbysën rezultatin pas një disavantazhi të konsiderueshëm. Epërsia u rikthye në favor të vendasve në shifrat 58:57, duke hapur një seri emocionesh deri në sekondat e fundit.
Ndeshja u vendos tre sekonda para fundit, kur Ja’cori Payne realizoi dy pikë nga gjuajtjet e lira, duke vulosur fitoren e Trepçës. Payne përfundoi ndeshjen me 18 pikë, ndërsa te mysafirët më efikasi ishte Trevon Allen me 24 pikë.
Pas kësaj jave, Trepça regjistron bilanc të barabartë me dy fitore dhe dy humbje, ndërsa Golden Eagle Ylli mbetet me një fitore dhe tri humbje.