Basketbollisti më i gjatë në botë 239 cm, ndërron sport

Olivier Rioux
Olivier Rioux

Gjiganti i basketbollit kalon në futboll amerikan – Olivier Rioux sfidon një sport të ri me 239 cm lartësi.

Basketbollisti më i gjatë në botë, Olivier Rioux (19 vjeç, 239 cm), ka vendosur të bëjë një kthesë të guximshme në karrierën e tij sportive: ai do të provojë veten në futbollin amerikan.

Rioux, që është gjithashtu adoleshenti më i gjatë në botë dhe student në Universitetin e Floridës, është pjesë e ekipit të basketbollit “Gators”, por tashmë ka marrë dritën jeshile për të nisur stërvitjet edhe me ekipin e futbollit amerikan të universitetit.

Trajnerët e “Gators” në futbollin amerikan synojnë të përfitojnë nga shtatlartësia e jashtëzakonshme e Rioux në ekipin special mbrojtës, duke e përdorur për të bllokuar goditjet për pikë të kundërshtarëve (“field goals”).

Olivier Rioux
Olivier Rioux

Megjithatë, Rioux nuk ka shkëlqyer në këtë rol deri më tani, pasi kërcimi i tij vertikal është vetëm 28 centimetra – një disavantazh në këtë pozicion specifik.

“Më pëlqeu ideja e kolegëve nga futbolli amerikan, megjithëse kam dëgjuar se janë pak të zhgënjyer. S’ka problem, besoj se do të marrë një tjetër shans”, tha trajneri i ekipit të basketbollit të Floridës, Todd Golden.

Kalimi mes basketbollit dhe futbollit amerikan nuk është i pazakontë për sportistët në SHBA, veçanërisht në shkollat e mesme dhe kolegje. Një shembull i njohur është legjenda Allen Iverson, ndërsa ndër rastet më të fundit është Keon Coleman, sot pjesë e ekipit NFL Buffalo Bills, i cili më parë ishte yll i basketbollit në kolegjin Michigan State.