Përfaqësuesja e basketbollit e Bosnjë dhe Hercegovinës ka siguruar kualifikimin për në fazën e 1/8-ës së EuroBasket 2025, pas një fitoreje të rëndësishme ndaj Gjeorgjisë me rezultat 84:76. Protagonist kryesor në fushë ishte Jusuf Nurkiç, i cili shkëlqeu me një double-double prej 15 pikësh dhe 12 kërcimesh.
Trajneri Adis Beçiragiç, pas ndeshjes, u shpreh i emocionuar në konferencën për media, duke falënderuar ata që kanë qenë përkrah ekipit dhe duke ndarë një moment personal prekës.
“Përshëndetje të gjithëve që e duan këtë shtet dhe këtë përfaqësuese. Së pari falënderoj Zotin, pastaj lojtarët dhe stafin që kanë punuar 24 orë në ditë,” tha Beçiragiç.
Ai ia dedikoi fitoren familjes së tij, me të cilën jeton i ndarë tash pesë vite.
“Këtë fitore ia dedikoj bashkëshortes time Aida dhe katër fëmijëve tanë. Prej pesë vitesh nuk jetoj me ta. Ata e bartin gjithë barrën e kësaj ndarjeje, sidomos gruaja ime që kujdeset për katër fëmijë në një vend të huaj. Falënderoj edhe motrën time Zehra, që gjithmonë është pranë nesh,” theksoi 55-vjeçari.
Beçiragiç ka pasur një karrierë të gjatë si trajner, duke drejtuar ekipe si Kepez Belediyespor, Darüşşafaka, Gaziantep dhe më herët edhe përfaqësueset e Irakut dhe Bosnjë e Hercegovinës, ndërsa tani udhëheq skuadrën tonë kampione, KB Trepça. Fitorja ndaj Gjeorgjisë konfirmon suksesin e punës së tij dhe kualifikimin e Bosnjës mes 16 më të mirave në Evropë.