
Bernard Berisha është gati për një kapitull të ri në karrierën e tij. Sulmuesi anësor i njohur i Kosovës ka arritur marrëveshje me tri herë kampionët, FC Ballkanin.
33-vjeçari u largua së fundmi nga kampionati rus, ku për plot tetë sezone ishte pjesë kyçe e Akhmat Grozny, dhe tani rikthehet në Superligën e Kosovës – aty ku e nisi gjithçka, më shumë se një dekadë më parë.
Berisha kishte mbetur pa skuadër pas largimit nga Rusia, ndërkohë që interesimi për të nuk mungoi, përfshirë edhe disa klube nga Kategoria Superiore e Shqipërisë. Por ai zgjodhi të rikthehet në vendlindje, te Ballkani, shkruan Tëvë 1.

Karrierën e nisi me Besa e Pejës në vitin 2010, për të vazhduar më pas në Shqipëri te Besa e Kavajës dhe më pas te Skënderbeu i Korçës. Nga aty bëri hapin e madh drejt Anzhi Makhachkala në vitin 2016, ndërsa që nga viti 2017 ishte pjesë e Akhmat Grozny në Premier Ligën ruse.
Me përfaqësuesen e Kosovës ka regjistruar 27 paraqitje, duke qenë një prej figurave më të rëndësishme në fazën e parë të ndërtimit të ekipit kombëtar.