Besa Famgas ka shënuar një fitore të madhe evropiane të dielën mbrëma në palestrën “Karagaçi” në Pejë.
Skuadra pejane mposhti ekipin turk Depsas Enerji me rezultat 39:34, në ndeshjen e parë të raundit të parë të Kupës Evropiane në hendboll – niveli i tretë i garave kontinentale për klube.
Besa e nisi fuqishëm takimin dhe ruajti epërsinë deri në fund; pas pjesës së parë rezultati ishte 19:16, ndërsa në përfundim dallimi shkoi në pesë gola.
“Me gjithë fondin e kufizuar të lojtarëve, Besa Famgas tregoi shpirt luftarak dhe arriti një fitore me rëndësi për të ardhmen e klubit me traditë”, ka theksuar Federata e Hendbollit e Kosovës.
Ali Abdulah Zayan ishte protagonist kryesor me 14 gola, ndërsa Deniz Terziqi shtoi nëntë dhe Amar Muqolli shtatë. Jon Vokshi realizoi katër herë, Enis Kuleta e Edonis Hajra nga dy, dhe Ilir Istrefaj një. Portieri Olt Kabashi u dallua me 13 pritje vendimtare.
Ndeshja e kthimit do të zhvillohet të shtunën e ardhshme në Ankara. Në garat evropiane të hendbollit këtë sezon po marrin pjesë gjithsej shtatë skuadra nga Kosova.