Burim Domniku – legjenda e futbollit pejan në vitet ’90 dhe 2000-ta

Burim Domniku
Burim Domniku

Burim Domniku sot mbush 54 vjet. Gjeneratat e reja mund të mos e njohin mirë, por Kërlaçki do t’ua kujtojë.

Në moshën 10-vjeçare kishte nisur të luante futboll, ashtu si shumë fëmijë të asaj kohe, të lindur në vitet ’70.
“Në xhudo më thanë nuk bën, se mund ta kafshosh gjuhën”, rrëfen me të qeshur Burimi për sportin që në fillim e donte më shumë.

kf besa vitet 90-ta
KF Besa vitet 90-ta

Buduçnostni, Kristali, Besa..

Ai kishte filluar në klubin e Kristalit, që mbahej nga fabrika e sheqerit – shumë e njohur në atë kohë në Pejë.
“Isha i kënaqur në atë klub. Të gjithë shokët i kisha aty. Derisa një ditë në rrugë më ndali emri i madh pejan, i pavdekshmi Shahin Haxhiislami. Më pyeti se te cili ekip po stërvitesha. Në atë kohë ekzistonin tre ekipe në Pejë: Buduçnosti, Besa dhe Kristali.”

Haxhiislami e kërkoi te Besa – skuadra ku pas Buduçnostit, ku si lojtar, ai vetë ishte shndërruar në legjendë tani te Besa.
“Nuk pranova menjëherë, sepse të gjithë shokët i kisha te Kristali. Por, i ndjeri Shahini kontaktoi babain tim dhe më në fund më bindën të kaloj te Besa.”

besa
Besa

Në atë kohë, Besa garonte në Ligën shumë të fortë “Krahinore”.

“Ishte viti 1989 kur debutova. Nuk e harroj kurrë – me golin tim Besa shpëtoi nga rënia. Rilindja shkruante: ‘E vogël është nota 10 për Burim Domnikun’”, kujton me shumë nostalgji Burimi debutimin me skuadrën shqiptare të Besës.

Megjithatë, Besa gjithmonë kishte qenë vetëm shqiptare – ishte themeluar në vitin 1974 – ndërsa klubi i madh, multietnik, ishte Buduçnosti.

Gjithçka ndryshoi në fillim të viteve ’90. Nuk ishte më koha për futboll. Okupimi kishte hyrë në çdo pore të jetës në Kosovë, sporti nuk ishte më prioritet. Burimi ndryshoi mjedis – shkoi në Kroaci. Edhe më keq, atje pritej të shpërthente lufta.

“Në vitin 1992 shkova në Kroaci. Luajta rreth gjashtë muaj për një klub që quhej Alumin, ndërsa stërvitesha me klubin e njohur të Shibenikut, që garonte në Ligën e Dytë të Jugosllavisë”, kujton Domniku.

domniku
Domniku

Por, sapo nënshkroi kontratën profesionale me Shibenikun, shpërtheu lufta.
“Sa po nënshkrova, plasi lufta. S’ishte e shkruar. Fati deshi të ikja prej andej, edhe pse vazhduan të qëndronin vëllai im Bekimi, Abdyl Bellopoja dhe Xhevdet Muriqi – të gjithë ikona të futbollit të asaj kohe”, shton Domniku.

Ai u rikthye te Besa dhe te realiteti i vështirë – futbollit të baltës dhe shokëve të vjetër. Skuadra pejane, nën drejtimin e Shahin Haxhiislamit, ishte bërë e frikshme. I paronte Prishtinës, Besianës, Gjilanit ’95, Lirisë, Vëllaznimit…
U shpall kampion vjeshte në edicionin 1996/97 dhe konsiderohej favorit absolut për titull. Por, pjesa pranverore nuk rifilloi kurrë – lufta përhapej çdo ditë e më shumë.

Pas luftës, Burimi iu rikthye futbollit – tre tituj rresht!

“Në vitin 2003 kam kujtime të mira me Drenicën – për gjashtë muaj sa luajta aty. Por sërish u riktheva te ekipi i zemrës, Besa. Tre vite rresht kampion. Pas Prishtinës, ishim skuadra më e trofeshme e Kosovës. E pabesueshme. Po realizonim ëndrrat tona të fëmijërisë”, kujton kohën e artë të futbollit pejan Domniku.

familja domniku
Familja Domniku

Burimi është i martuar që nga viti 1996 dhe gëzon shëndet të mirë me dy vajza dhe një djalë.

Sot, ai drejton shkollën private të futbollit “KF AS Peja”, bashkë me trajnerin dhe ish-lojtarin tjetër të njohur pejan, Fetim Kasapin. Klubi grumbullon një numër të madh fëmijësh që nesër mund të ndjekin rrugën e trajnerëve të tyre.

Në fund, Burimi shton me krenari Jeton Osmanaj:
“Dua të veçoj dhe nuk dua ta lë pa e përmendur bashkëlojtarin dhe shokun tim, ish-mesfushorin Jeton Osmanaj. Besoj shumë që kemi qenë tandemi më i mirë në 40 vitet e fundit të futbollit pejan.”

Burimi, po ashtu ka qenë pjesë reprezentuese e Përfaqësueses së Kosovës në vitet para pranimit.

Në 54-vjetorin e lindjes, në emër të të gjithë adhuruesve të futbollit, “Kërlaçki” i uron Burim Domnikut shëndet dhe jetë të gjatë!

domniku - osmanaj - kasapi
Domniku – Osmanaj – Kasapi