
Carlos Alcaraz, fituesi i US Open-it në vitin 2022 dhe aktualisht tenisti numër dy në botë, nisi fushatën e tij në këtë turne me një fitore bindëse kundër amerikanit të gjatë me servis të fuqishëm, Reilly Opelka, me rezultatin 6:4, 7:5, 6:4.
Përveç lojës së mirë, Alcaraz tërhoqi vëmendjen edhe për një ndryshim të dukshëm në pamjen e tij.
Në New York, spanjolli u shfaq me një prerje të re – i rruar zero. “Kisha probleme me flokët. Duhej të nisesha nga e para. Më duhej diçka e freskët për fillimin e këtij turneu, që ta nisja në mënyrën më të mirë të mundshme”, u shpreh Alcaraz për ndryshimin e tij të look-ut.
Alcaraz mbërriti në US Open pas triumfit në turneun prestigjioz ATP 1000 në Cincinnati, ku fitoi pasi Jannik Sinner u tërhoq nga finalja. Megjithatë, italianin e kishte pasur përballë edhe në finalen e Wimbledonit në fund të qershorit, ku këtë radhë Sinner doli fitues. Këtë sezon, Alcaraz ka arritur të fitojë edhe turneun e Roland Garros-it.
