Çfarë po ndodh me Viniciusin?

Vinicius
Vinicius

Futbollisti brazilian Vinicius Jr. ndodhet përballë një sfide të madhe: të rikthehet si lojtari vendimtar në fushë dhe të kapërcejë zhgënjimin pas humbjes së Topit të Artë për vitin 2024, shkruan Marca, përcjellë Kërlaçki.

Kanë kaluar dhjetë muaj që kur, më 28 tetor të vitit të kaluar, Rodri fitoi çmimin prestigjioz, duke e lënë Viniciusin pa trofeun që kishte ëndërruar. Humbja ishte goditje e rëndë, si për lojtarin, ashtu edhe për Real Madridin, që reagoi me bojkot ndaj ceremonisë së ndarjes së çmimeve.

Ironikisht, vetëm gjashtë ditë para asaj mbrëmjeje, më 22 tetor, Vinicius shënoi tre gola ndaj Borussia Dortmund në “Santiago Bernabéu”, duke u dukur si favorit i padiskutueshëm për çmimin. Atë natë ishte i pandalshëm dhe rruga drejt Parisit dhe skenës së teatrit “Châtelet” dukej e hapur. Por fati kishte plane të tjera.

Në kërkim të formës së humbur

Sot, afro një vit më vonë, Vinicius nuk është më ai lojtari shkatërrues që frikësonte mbrojtjet kundërshtare. Sezoni i kaluar ishte zhgënjyes për të gjithë ekipin, që fitoi vetëm dy nga shtatë trofetë e mundshëm, dhe kjo ndikoi në performancën e çdo ylli të skuadrës. As në sezonin e ri braziliani nuk ka arritur të rigjejë formën më të mirë.

Në ndeshjen e fundit ndaj Osasunës, gjithë vëmendja ishte mbi Kylian Mbappé, i cili udhëhoqi sulmin. Ndërsa Vinicius zhvilloi një ndeshje të zbehtë, duke u neutralizuar nga mbrojtja kundërshtare.

Fakti që trajneri e zëvendësoi pavarësisht epërsisë së ngushtë të Realit është domethënës. Në vend të tij u aktivizua Gonzalo, golashënuesi më i mirë i Kampionatit Botëror për Klube – një turne ku Vinicius nuk la gjurmë.

Paralajmërimi i trajnerit dhe e ardhmja e pasigurt

Paralajmërimi i trajnerit Xabi Alonso nuk është për t’u injoruar. Tifozët e Realit prej kohësh presin rikthimin e Viniciusit në formën e tij më të mirë – atë të lojtarit që krijonte rrezik nga minuta e parë deri në fundin e ndeshjes. Edhe pse pozicioni i tij si titullar nuk duket i rrezikuar për momentin, në bankinë po presin alternativa të forta si Gonzalo apo bashkëkombësi Rodrygo, i cili po fiton gjithnjë e më shumë hapësirë.