
Trajneri i Interit, Cristian Chivu, është parë i irrituar gjatë një seance stërvitore të mërkurën në qendrën sportive “Pinetina”, pas një komenti të bërë ndaj kapitenit Lautaro Martinez.
Sipas “Corriere dello Sport”, stërvitja nuk ishte e hapur për publikun e gjerë, por vetëm për sponsorë dhe përfaqësues të Inter Club. Në një moment, pasi Martinez shënoi një gol, një person nga tribuna i bëri thirrje argjentinasit: “Bëje këtë edhe të dielën!”
Chivu reagoi menjëherë, duke mbrojtur lojtarin e tij:
“Ju lutem, respektoni ata që punojnë këtu. Nuk dua të dëgjoj për të dielën apo për gjëra të tjera. Përndryshe, shkoni në Milanello. Ne këtu punojmë dhe përpiqemi të përmirësohemi,” u shpreh tekniku zikaltër.
Videoja e momentit, e publikuar nga “Gazzetta dello Sport”, është pritur me duartrokitje nga pjesa tjetër e të pranishmëve, të cilët përshëndetën qëndrimin e Chivut.
Ndërkohë, Lautaro pritet të rikthehet titullar këtë fundjavë, pas dy javësh pushim për shkak të shqetësimeve në shpinë. Ai mungoi kundër Ajaxit në Ligën e Kampionëve dhe luajti vetëm disa minuta si zëvendësues në fitoren 2-1 ndaj Sassuolos.