Elon Berisha
Prishtina e Re ka nisur me këmbë të mbarë aventurën në Superligën e Kosovës. Në debutimin e tyre, djemtë e trajnerit Elion Berisha shënuan një fitore të thellë 4-0 ndaj Malishevës, skuadër që ka përfaqësuar dy herë rresht Kosovën në arenën evropiane, ndërsa Elon Berisha është prononcuar ekskluzivisht për Kërlaçki.
Ndeshja tregoi qartë vendosmërinë dhe organizimin e Prishtinës së Re, që arriti të dominojë një kundërshtar me përvojë. Pas analizës së kujdesshme dhe përgatitjes së detajuar, ekipi i Berishës shfrytëzoi maksimalisht rastet, duke dhënë sinjale se nuk do të jetë thjesht një kalimtare në elitën e futbollit kosovar. Ambicia e klubit mbetet stabilizimi në ligë dhe përballja me çdo rival me besim e krenari.
“Është gjithmonë një ndjenjë e mirë të nisësh kampionatin me një rezultat pozitiv, sidomos kundër një kundërshtari të fortë dhe cilësor,” – u shpreh trajneri për Kërlaçki.
Ai theksoi se skuadra kishte analizuar mirë kundërshtarin dhe ishte përgatitur me kujdes për sfidën, duke ditur saktësisht çfarë e priste. “I përgëzoj lojtarët për respektimin e detyrave dhe qasjen që treguan në fushë”, ka shtuar ai.
Sipas trajnerit, ndeshja nisi e balancuar me raste shënimi në të dyja portat, por goli në fund të pjesës së parë i dha epërsi skuadrës së tij. Në pjesën e dytë, kartoni i kuq për kundërshtarin e bëri më të lehtë menaxhimin e lojës dhe shënimin e golave të tjerë.
“Jemi të fokusuar t’i marrim ndeshjet një nga një. Rezultati i fundit është i mirë, por për sfidat e ardhshme kemi theksuar edhe aspektin psikologjik. Çdo 90 minuta kërkon përqendrim dhe qasje maksimale. Kemi lojtarë me përvojë dhe të pjekur, dhe besoj se ky rezultat do të menaxhohet siç duhet”, tha Elon Berisha.
Ai përmendi gjithashtu se ambiciet e klubit mbeten stabilizimi në ligë dhe përballja me çdo kundërshtar me krenari dhe vetëbesim, pa ndjerë inferioritet në asnjë moment.
Rastet dhe golat: Prishtina e Re deklasoi Malishevën, debutim ëndrrash në Superligë